Lidhje

Sekretari Mattis thekson mbështetjen amerikane për Izraelin


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis rithekoi mbështetjen e SHBA për Izraelin në takimin e tij të premten me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Zoti Mattis dhe zoti Netanyahu ranë dakort se të dy vendet kanë një armik të përbashkët – militantët islamikë dhe premtuan të “bëjnë gjithshka të mundur” për të arritur paqe.

“Mendoj se është e rëndësishme të kujtojmë që në se njerëzit e mirë nuk bëhen bashkë, atëherë të këqinjtë mund të bëjnë shumë dëme në këtë botë. Ne jemi të vendosur ta ndalim këtë dhe të bëjmë çdo gjë për të arritur paqen dhe lirinë për brezin e ardhshëm,”- tha zoti Mattis.

Sekretari Mattis u takua me zotin Netanyahu dhe me Ministrin izraelit të Mbrojtjes Avigdor Lieberman në Tel Aviv, pasi zhvilloi bisedime këtë javë me drejtues të Arabisë Saudite dhe Egjiptit.

Zoti Netanyahu tha se e vlerëson “ndryshimi e drejtimit” që administrata Trump ka ndërmarrë, përsa u përket marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

“Mendoj se është një ndryshim i mirëpritur, një ndryshim strategjik i lidershipit amerikan dhe politikës amerikane. Ne kemi vlera të përbashkëta dhe gjithashtu rreziqe të përbashkëta,” tha zoti Netanyahu.

Kryeministri izraelit tha se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli përballen me kërcënime të dyfishta nga militantët islamikë: ekstremistët suni të drejtuar nga Shteti Islamik dhe militantët shiitë të drejtuar nga Irani. Ai tha se takimi me zotin Mattis do të përqëndrohej në mënyrat për t’u përballur me këto kërcënime.

Gjenerali Mattis është i pari anëtar i kabinetit të zotit Trump që viziton Izraelin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG