Lidhje

Mattis: Amerika vlerëson partnerët dhe aleancat


Shtetet e Bashkuara po punojnë për të forcuar aleancat dhe partneritetet ndërkombëtare, shprehet shefi i Pentagonit, duke e cilësuar këtë objektiv si një synim kritik për strategjinë ushtarake amerikane.

“Amerikanët nuk janë të zgjedhur nga Perëndia për të dalë fitues në fushën e betejës,” tha të mërkurën Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis në një konferencë pranë Uashingtonit. Asnjë vend nuk arrin forcë ushtarake vetvetiu, tha zoti Mattis.

“Historia ofron shembuj të pamohueshëm se vendet që kanë aleatë arrijnë sukses, ato pa aleatë dobësohen. Është shumë e thjeshtë,” tha shefi i Pentagonit.

Komentet e zotit Mattis pasojnë fjalimin e Presidentit të SHBA të martën në OKB, ku zoti Trump tha se politika e jashtme amerikane po i rikthehej “parimit bazë të sovranitetit”. “Unë do ta vë gjithmonë Amerikën në plan të parë, ashtu si ju, ashtu si udhëheqës të tjerë që do të vënë në plan të parë vendet e tyre,” tha presidenti.

Presidenti Trump shkaktoi tronditje mes aleatëve dhe partnerëve të Amerikës edhe me frazën se Amerika mund të “shkatërrojë plotësisht” Korenë e Veriut nëse është e nevojshme për vetëmbrojtje, si dhe me komentet që lënë të kuptohet se Amerika mund të braktisë marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Sekretari i Mbrojtjes Mattis, në fjalimin e tij para pjesëmarrësve në konferencën për Hapësirën Ajrore dhe Hapësirën Kibernetike, u përpoq të fliste me një ton ndryshe nga presidenti. “Ne duhet të bëjmë më shumë për të dëgjuar aleatët, dhe për të qenë të hapur ndaj sugjerimeve të tyre,” tha zoti Mattis.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG