Lidhje

Sekretari Mattis, mesazh për trupat amerikane


Sekretari amerikan i Mbrojtjes në largim, Jim Mattis u dha disa këshilla të fundit trupave dhe punonjësve civilë të Departamentit të Mbrojtjes, duke u bërë thirrje të ruajnë besimin tek Amerika dhe të vazhdojë t’u qëndrojnë pranë aleatëve.

"Udhëheqja e departamentit tonë, civil dhe ushtarak, mbetet në duart më të sigurta të mundshme", shkruante zoti Mattis në mesazhin zyrtar të lamtumirës të hënën, dita e tij e fundit në detyrë.

"Jam i bindur se secili prej jush mbetet i palëkundur ndaj misionit tonë për të cilin është betuar: të mbështesë dhe mbrojë Kushtetutën, duke mbrojtur njëkohësisht mënyrën tonë të jetesës… Pra, të ruajmë besimin tek vendi ynë dhe ta mbajmë atë fort, së bashku me aleatët tanë, kundër armiqve tanë".

Letra e së hënës erdhi ndërkohë që zoti Mattis i dorëzon detyrën zëvendës-sekretarit Patrick Shanahan, i cili bëhet sekretar i mbrojtjes në detyrë, duke filluar nga 1 janari.

Ndryshe nga zoti Mattis, i cili erdhi në Pentagon si një ish-gjeneral i respektuar që kishte shërbyer në Afganistan, zoti Shanahan nuk ka ndonjë përvojë ushtarake. Ai erdhi në Departamentin e Mbrojtjes nga gjiganti i aviacionit Boeing, ku për më shumë se 30 vjet ishte marrë me mbikëqyrjen e programeve civile dhe ushtarake. Shanahan u emërua zëvendës sekretar i mbrojtjes në vitin 2017.

Zoti Mattis dha dorëheqjen më 20 dhjetor, pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Trump, gjatë të cilit ata nuk u pajtuan lidhur me çështjen e tërheqjes së trupave amerikane nga Siria, siç ishte vendosur nga zoti Trump.

Ndonëse nuk ishte hera e parë që ata nuk binin dakord për çështje politike, për zotin Mattis, vendimi i Presidentit për tërheqjen nga Siria përfaqësonte pikën e thyerjes.

"Ju keni të drejtën të keni një sekretar të mbrojtjes, pikëpamjet e të cilit janë më të afërta me tuajat mbi këto dhe çështje të tjera", shkruante zoti Mattis, duke shtuar se ai do të qëndronte deri në fund të shkurtit 2019 për t’i dhënë kohë pasardhësit të tij që të përfaqësonte SHBA në një takim ministror të NATO-s.

Zoti Mattis paralajmëroi gjithashtu presidentin se SHBA duhet "të jetë e vendosur dhe e qartë në qasjen ndaj vendeve, interesat strategjike të të cilave janë gjithnjë e më shumë në tension me tonat", duke përmendur Kinën dhe Rusinë.

Ai paralajmëronte më tej se Shteteve të Bashkuara nuk u interesonte të armiqësoheshin me aleatët.

"Forca jonë si vend është e lidhur pazgjidhshmërisht me forcën e sistemit tonë të veçantë dhe gjithëpërfshirës të aleancave dhe të partneritetit", shkruante ai.

Tri ditë më vonë, Presidenti Trump njoftoi nëpërmjet Twitter-it se zoti Mattis do të largohej në fund të vitit.

Sipas zyrtarëve të Pentagonit, largimi i zotit Mattis nuk do të shënohet me ndonjë ceremoni solemne, siç veprohet normalisht për të shprehur respektin ndaj një sekretari të mbrojtjes që lë detyrën. Kjo me kërkesën e vetë sekretarit Mattis.

Në vend të kësaj, dorëzimi i autoritetit nga zoti Mattis tek Sekretari i Mbrojtjes Shanahan do të bëhet me një telefonatë, duke njoftuar të gjitha agjencitë qeveritare përkatëse për ndryshimin e njeriut në krye të Pentagonit.

Menjëherë pasi Pentagoni publikoi mesazhin e lamtumirës të zotit Mattis, zoti Trump komentoi të hënën në Twitter:

"Unë jam i vetmi njeri në Amerikë që mund të thotë se ‘po i kthej trupat tona të shkëlqyera në shtëpi me fitore’ por që përsëri trajtohet keq nga media.”

Nga ana e tij, zoti Mattis e fillonte mesazhin e tij të fundit si sekretar i mbrojtjes duke cituar një telegram të Presidentit Abraham Lincoln dërguar gjeneralit Ulysses Grant në vitin 1865, pak më shumë se dy muaj para përfundimit të Luftës Civile amerikane:

"Le të mos lejojmë asgjë nga ato që po ndodhin të ndryshojnë, pengojnë ose vonojnë lëvizjet apo planet tuaja ushtarake," thuhej aty.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG