Lidhje

SHBA: Koreja e Veriut, rrezik i qartë dhe imediat


Në krye të një delegacioni të fuqishëm amerikan, Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis, ndodhet në Singapor për të marrë pjesë në punimet e konferencës më të rëndësishme të Azisë në fushën e mbrojtjes. Gjatë fjalës së tij në takimin e Dialogut Shangri-La, zoti Mattis e cilësoi Korenë e Veriut një rrezik të qartë dhe imediat. Sekretari Mattis gjithashtu dënoi mospërfilljen e ligjit ndërkombëtar nga Kina nëpërmjet militarizimit të ishujve artificialë.

Në fjalën e tij në takimin e Dialogut Shangri-La, Sekretari amerikan i Mbrojtjes dënoi veprimet e papërgjegjshme të Koresë së Veriut.

“Së bashku me deklarata të papërgjegjshme, programi aktual i Koresë së Veriut sinjalizon qartë se synimi është zotërimi i raketave balistike me armatim bërthamor, madje edhe me rreze ndërkontinentale duke kërcënuar kështu drejtpërdrejt aleatët tanë në rajon dhe vendet partnere në mbarë botën. Presidenti Trump e ka bërë të qartë se epoka e durimit strategjik ka përfunduar. Nga aspekti i sigurisë kombëtare, Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë rrezikun nga Koreja e Veriut, si një rrezik të qartë dhe imediat”, tha Sekretari Mattis.

Megjithëse vlerësoi angazhimin e Kinës për të punuar së bashku me komunitetin ndërkombëtar, ai përmendi se do të ketë natyrisht konkurrencë ndërmjet dy ekonomive më të mëdha të botës, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, por se konflikti mund të shmanget. Sidoqoftë, Sekretari Mattis dënoi aktivitetin e Kinës për të marrë sa më shumë territor në Detin e Kinës së Jugut.

“Qëllimi dhe përmasat e aktivitetit të Kinës në Detin e Kinës së Jugut ndryshon nga vendet e tjera, për shkak të militarizimit, mospërfilljes nga Kina të ligjit ndërkombëtar, përbuzjes së interesave të vendeve të tjera, si dhe refuzimit për të gjetur zgjidhje me mirëkuptim për mosmarrëveshjet”, deklaroi Sekretari Mattis.

Në përgjithësi, fjalimi i Sekretarit Mattis ruajti një ton pozitiv dhe shpresëdhënës për bashkëpunimin dhe paqen në rajonin e Azi-Paqësorit, ku zyrtarët amerikanë kanë punuar me prioritet për forcimin aleancave dhe partneritetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG