Lidhje

Vazhdojnë nderimet për Senatorin McCain


Homazhet për senatorin e ndjerë John McCain do të vazhdojnë sot në shtetin e tij Arizona me një shërbesë përkujtimore në qytetin Feniks. Miku i senatorit McCain, ish-nënpresidenti Joe Biden, do të flasë në ceremoni. Të premten ceremonitë do të zhvendosen në kryeqytetin Uashington, kur trupi i senatorit të vendoset në sallën rrethore të Kapitolit, ndërsa varrimi do të bëhet të shtunën në Akademinë e Marinës në Anapolis të Merilendit.

Një numër i madh njerëzish presin në radhë për të shprehur nderimet për senatorin. Një djalë përshëndet heroin e luftës ndërsa kalon para arkivolit mbuluar me flamurin amerikan, në ditën e ditëlindjes së 82-të të senatorit McCain.

"Mendoj se ai ishte modest dhe pavarësisht nga vije dhe çfarë partie i takoje, ai dukej se i respektonte të gjithë”, tha Silvia Gomez-Valle, nga Gilbert i Arizonës.

"Mendoj se ai sillte bashkim. Ai sillte ndryshim dhe ishte një njeri i madh deri në fund. Nuk isha gjithmonë dakord me politikën e tij, por e doja si njeri”, tha Amon Rutherford nga Ankorazh e Alaskës.

Ata që pritën dje deri në orët e vona për të shprehur nderimet, u befasuan kur familja doli për t’i falenderuar.

Pas ceremonisë përkujtimore të së enjtes në Feniks, trupi i zotit McCain do të sillet në Uashington, ku do t’i bëhen nderime të premten në Kapitol, pas një ceremonie tjetër nder të jetës dhe karrierës së tij.

Ceremonitë vazhdojnë të shtunën në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, ku mes të tjerësh do të flasin ish-presidentët Barack Obama dhe George W. Bush.

McCain do të varroset të dielën në Akademinë e Marinës në Anapolis të Merilendit, ku kishte bërë studimet. Ai vdiq të shtunën pas një beteje të gjatë me kancerin në tru.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG