Lidhje

McCain: Politikat ndaj Sirisë, të vonuara dhe të pamjaftueshme


Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë është pritur ftohtë nga një prej kritikëve më të ashpër të politikës së administratës ndaj Sirisë. Senatori John McCain ka kërkuar prej kohësh angazhimin më të madh të Amerikës për të ndalur gjakderdhjen në Siri dhe për të larguar nga pushteti Presidentin Bashar al-Asad:

Ish-kandidati republikan për president John McCain u shpreh se vendimi i administratës është i vonuar dhe pasiviteti i deritanishëm ka lënë njollë mbi emrin e Shteteve të Bashkuara:

“Lufta civile po shndërrohet në një konflikt rajonal. Shtetet e Bashkuara kanë shkruar një kapitull të turpshëm në historinë e tyre”.

Senatori McCain thotë se përpjekja aktuale e administratës kërkon një angazhim serioz me armatime të rënda. Nuk mjafton të dërgohen ndihma ushtarake, thotë ai, neutralizimi i situatës për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve kërkon dërgimin e pajisjeve anti-tank, anti-ajrore dhe vendosjen e një zone ndalim-fluturimesh. Amerika thotë ai, duhet të dërgojë raketa kruz dhe bateri sulmuese Patriot, përndryshe do të jetë e pamundur të përballohet zjarri i armatimeve ruse:

“Rusët po dërgojnë raketat dhe avionët më të sofistikuar. Irani është plotësisht i angazhuar. Hezbollahu ka dërguar me mijëra anëtarë. Prandaj, thjesht të themi që po u dërgojmë disa armatime dhe të presim që kjo do ta ndryshojë situatën, do të ishte naive”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara pranë OKB-së Susan Rice theksoi dje se Amerika mbështet idenë e një qeverie tranzicioni, në bazë të marrëveshjes të arritur në Gjenevë. Ajo shtoi se administrata po shqyrton alternativa të ndryshme. Nuk është përjashtuar ideja e një zone ndalim-fluturimesh, por kjo alternativë ka edhe anët negative, paralajmëron zonja Rice:

“Mendoj se ka rëndësi jetike që palët të ulen në tryezën e bisedimeve mbi bazën e marrëveshjes së Gjenevës. Marrëveshja thotë se duhet të zhvillohen negociata dhe të ngrihet një organ tranzitor qeverisës me fuqi të plota ekzekutive mbi bazën e konsensusit dypalësh. Këtë synojnë Shtetet e Bashkuara”

“E kemi bërë të qartë se nuk kemi përjashtuar asnjë opsion, por në këtë moment nuk është marrë ndonjë vendim. Siç e shpjeguan kolegët e mi në Uashington, vendosja e një zone ndalim-fluturimesh ka anët negative”.

Ambasadorja amerikane pranë OKB-së tha se administrata vazhdon të analizojë alternativat me synimin për arritjen e objektivit për një zgjidhje politike me negociata.
XS
SM
MD
LG