Lidhje

Liban, rënia ekonomike vështirëson jetesën


Paundi libanez ka humbur pjesën më të madhe të vlerës

Prej shumë vitesh Libani shihej si model i progresit ekonomik në Lindjen e Mesme, por keqmenaxhimi dhe korrupsioni kanë sjellë protesta të zgjatura dhe kolaps ekonomik.

Liban, rënia ekonomike vështirëson jetesën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:26 0:00

Tani, monedha libaneze ka humbur pjesën më të madhe të vlerës së saj dhe rreth 70 përqind e popullsisë kanë nevojë për ndihmë.

Siç njofton për Zërin e Amerikës nga Libani, Anchal Vohra, libanezët mezi përmbushin nevojat e tyre bazë, pagat po humbin vlerën ndërsa bankat po zbatojnë masa për kontrollin e kapitalit, duke ua bërë njerëzve të vështirë të tërheqin kursimet.

Mbi një milion libanezë dolën në rrugët e Libanit dhe kërkonin që elita në pushtet të largohej, të zhvilloheshin zgjedhje të reja dhe t'i jepej fund një sistemi të korruptuar të qeverisjes sektare.

Tetë muaj më vonë, protestat janë zvogëluar ndërsa libanezët përballen me hiper-inflacion.

Në Tripoli, në veri të Libanit, Najeera Mahmood duhet të mendohet dy herë para se të blejë bukë. Për herë të parë në një dekadë, çmimi i bukës u dyfishua pasi qeveria libaneze - e mbingarkuar me borxhe dhe me mungesë parash të thata - uli subvencionin e saj për miellin.

Çmimi i një buke tani është 2000 lira. Si mund ta përballojnë njerëzit e varfër me familje? Është shumë e shtrenjtë", thotë zonja Mahmood.

Qeveria libaneze thotë se më shumë se dy të tretat e popullsisë kanë nevojë për ndihmë dhe se shumë tani mbështeten tek organizatat bamirëse.

"Sanobal Nour", një prej këtyre OJQ-ve, menaxhon një kuzhinë supe dhe ofron ndihmë financiare për të varfërit e rinj të Libanit.

Gjatë katër muajve të fundit, paundi libanez ra me 80 përqind dhe çmimet e mallrave u rritën mbi trefish. Inflacioni ka goditur rëndë klasën e mesme dhe i ka bërë shumicën e kërkesave ditore të papërballueshme për grupet me të ardhura të ulëta.

Bahaa, baba i tre fëmijëve, humbi punën dhe në pamundësi për të paguar qeranë e tij, do të humbasë edhe shtëpinë e tij.

"Nuk kam punë, as para. Mezi paguaj për bukën. Nuk di çfarë të bëj", thotë ai.

Disa janë edhe më të dëshpëruar. Një video e shpërndarë gjerësisht në WhatsApp tregon një person të armatosur duke vjedhur pelena dhe pak para, në një farmaci.

Libani ka shumë nevojë për një ndihmë prej 10 miliardë dollarësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Por politikanët - shumë prej tyre ish-komandantë të epokës së luftës civile - po u rezistojnë reformave të nevojshme për të siguruar kredinë.

"Një kredi e FMN-së është një angazhim mjaft serioz nga qeveria dhe elita në pushtet nuk është e gatshme ta bëjë këtë, sepse një paketë e FMN-së do të nënkuptojë shkurtimin e monopoleve dhe ndryshimin e strukturave të pushtetit në vend", thotë ekonomisti Nizar Ghanem.

Ka gjithashtu mungesa të energjisë elektrike. Edhe kur dritat ndizen, shumë libanezë shqetësohen se mund të vijnë kohëra edhe më të pasigurta dhe më të dhunshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG