Lidhje

Fushata "MeToo" në mediat sociale


Në 24 orët e fundit, mijëra gra kanë shkruar në Twitter dhe Facebook, duke ndarë tregimet e tyre personale të ngacmimeve seksuale dhe sulmeve nën hashtagun 'Me Too'. Kjo fushatë në mediat sociale vjen pas akuzave të shumta për sjellje të pahijshme seksuale nga producenti i Hollivudit Harvey Weinstein. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Cherneff analizon se si kjo lëvizje e fundit e mediave sociale ka nxitur një bisedë globale mes grave dhe burrave lidhur me ngacmimet dhe sulmet seksuale:

Ishte një thirrje për veprim gjatë fundjavës, nga aktorja e televizionit Alyssa Milano.

Të djelën, Milano shkroi në Twitter mesazhin duke u bërë thirrje pasueseve të saj të përdornin hashtagun “Me Too” në se ato ishin ngacmuar apo sulmuar ndonjëherë seksualisht.

Këto dy fjalë shpejt u përhapën në median sociale ndërsa mijëra gra treguan historitë e tyre të dhimbshme personale në përpjekje për të treguar sesa i përhapur është ngacmimi seksual.

Në thirrjet për veprim u bashkuan edhe meshkuj, disa me historitë e tyre të vëmendjes së padëshiruar dhe të tjerë duke u solidarizuar me viktimat.

Fushata në median sociale vjen pas skandalit të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale të producentit të Hollivudit, Harvey Weinstein.

Louisette Geiss, një nga dhjetra gratë që e akuzojnë Weinstein për ngacmime dhe sulme seksuale, kujtoi përvojën e saj me manjatin e filmave.

“Zemra më rrihte me shpejtësi dhe isha shumë e frikësuar. Më në fund arrita të shpëtoja dhe u drejtova nga dera. Filloi të më ndiqte dhe të më thoshte se do të më prezantonte me Bob Weinstein dhe se mund të merrja një ofertë për tre filma dhe se ai do të përgatiste skenarin, por duhej ta shihja atë të mastrubohej."

Një zëdhënës i Weinstein-it i mohoi akuzat duke i quajtur të gjitha rastet konsensuale – por zemërimi po shtohet gjithnjë e më shumë duke dërguar mesazhin se sulmet dhe ngacmimet seksuale janë sjellje të papranueshme.

Pasi u përjashtua nga kompania që ai themeloi, anëtarët e Akademisë së Arteve Filmike dhe Shkencës votuan gjatë fundjavës ta përjashtonin atë nga organizata e tyre.

Skandali i fundit që godet Hollivudin ka implikime të mëdha për gratë në të gjitha fushat, thotë Melissa Silverstein, e cila drejton blogun "Gratë dhe Hollivudi."

“Rasti i Harvey Weinstein-it ka nxjerr në pah faktin se gratë duhet të kenë më shumë pozita të fuqishme në Hollivud ashtu si edhe njerëzit me ngjyrë. Hollivudi është dominuar nga burrat e bardhë për një kohë shumë të gjatë. Ne po themi – historitë tona vlejnë, vizioni ynë është i rëndësishëm dhe debati duhet të ndryshojë për t’u bërë më gjithëpërfshirës.”

Një debat që, vetëm në dy fjalë po bën jehonë në mbarë Hollivudin dhe përtej internetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG