Lidhje

Qyteza e lindjes shpreson në ndihmën e Melanisë


Një qytet i vogël në Slloveni, Sevnica, shpreson të përfitojë nga lidhjet me Melanian, bashkëshorten e kandidatit republikan për president në SHBA Donald Trump. Si vendlindja e zonjës Trump, Sevnica mund të tërheqë tani më shumë turistë dhe kjo mund t’u sjellë fitim bizneseve të vogla - nga pronarët e restoranteve e deri te prodhuesit e verës.

Sevnica, në zemër të Sllovenisë, është një botë larg nga dritat e kuvendeve partiake amerikane.

Por pikërisht në këtë qytet prej rreth 5,000 banorësh, u rrit Melania Trump, bashkëshortja e kandidatit republikan për president, Donald Trump.

Pasi u zhvendos në Lubjanë, Melania filloi karrierën si modele, që përfundimisht e çoi në New York.

Kjo kala mesjetare është krenaria e Sevnicës.

Sepse prej saj hapet një pamje e bukur mbi luginë, por edhe sepse turistët që vijnë këtu mund të takohen me grupin "Graščaki", që paraqitet me kostume tradicionale.

"Në kohët e vjetra, kalaja ishte qendër kulturore e jetës së qytetit", thotë Sinjo Jezernik. "Sot ne përpiqemi ta ruajmë këtë traditë.”

Sllovenia ka pak më shumë se dy milionë banorë.

"Ne jemi krenarë që Sevnica ka qëndruar deri më sot njëlloj si gjatë historisë,” thotë guida turistike, Renata Kuhar. "Jemi krenarë për gjithë rajoninin rreth Sevnicës që është është plot me kodra të gjelbra dhe me vreshta. Në kohë të vështira, shumë njerëz kanë humbur punën. Por ne qëndrojmë ende në këmbë dhe marrim forcë ng ky vend i të parëve tanë."

Sllovenia renditet si vendi i 10-të më paqësor në botë. I ndodhur mes Alpeve dhe Adriatikut, ajo e promovon veten me moton: "Ndjehem slloven".

Prodhuesit e vegjël të verës dhe restorantet krenohen me traditat e vendit.

"Ky vend është quajtur zemra e Evropës", thotë Peter Deu, pronar i verës "Deu". "Më parë nuk ishim të njohur në botë. Tani, me hapjen e kufijve këtu vijnë gjithnjë e më shumë turistë të huaj që po na zbulojnë.”

Deu beson se do të ishte mirë për turizmin e Sevnicës në qoftë se Melania Trump bëhet Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara.

"Jam i sigurt se verërat sllovene do të serviren në Shtëpinë e Bardhë, sepse kanë cilësi të lartë, por edhe shpresoj se Melania Trump, në qoftë se bëhet Zonjë e Parë, do të bëjë diçka të vogël për vendin e saj," thotë Deu.

Restoranti Repovž shërben ushqim organik. Restoranti është në pronësi të së njëjtës familje prej më shumë se 150 vjetësh.

"Detyra jonë është të përfaqësojmë komunitetin tonë, fshatin tonë, me gjellët dhe me restorantin tonë,” thotë bashkë-pronari, Gregor Repovž.

"Jam i sigurt se Melania Trump mund ta ndihmojë vendin përsa i përket turizmit,” thotë Repovž.

Përfaqësuesi i bordit të turizmit, Zdravko Remar, beson se Sllovenia ka shumë për të ofruar, edhe pse nuk ka plane zyrtare për ta reklamuar Sevnicën si "vendlindjen e Melania Trumpit".

"Ajo është një nga gratë që po e nxjerr emrin tonë në botë, por nuk është e vetmja. Çdo ditë, këtu në Sevnicë mund të takosh plot gra që punojnë shumë."

Ka pasur ide që njërës prej rrugëve t’i vihet emri Melania Trump në qoftë se ajo bëhet Zonjë e Parë, apo edhe për të ndërtuar një monument për të. Por tani për tani, monumentet e vetme në rrugët e Sevnicës janë ato nga e kaluara.

XS
SM
MD
LG