Lidhje

Presidenti Trump: demokratët ta rishkruajnë raportin


Presidenti Donald Trump nuk ka lejuar nxjerrjen e një dokumenti të demokratëve të përgatitur si reagim ndaj raportit republikan me akuza për shkelje të FBI-së gjatë hetimeve mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016.

Në një letër të bërë publike dje, konsulenti ligjor i Shtëpisë së Bardhë Don McGahn thotë se presidenti ka vendosur të mos lejojë publikimin e dokumentit sekret të demokratëve, pasi “në të ka një numër paragrafësh sekretë dhe pasazhesh me informacion të fshehtë”.

Vetë Presidenti Trump shpjegoi më tej sot në Twitter, duke shkruar se: “Demokratët dërguan një raport shumë të gjatë dhe shumë politik, për të cilin e dinin që për shkak të metodave dhe burimeve të përdorura do të duhej të redaktohej së tepërmi, duke ua mundësuar kështu që të fajësonin më pas Shtëpinë e Bardhë për mungesë transparence. U thamë ta rishkruajnë dhe ta dërgojnë në formën e duhur!”.

Po dje, ligjvënësi demokrat Seny Hoyer shprehej se ishte “shumë shqetësuese që Presidenti Trump kishte bllokuar nxjerrjen e dokumentit të shkruar nga demokratët. Ligjvënësi shkruan më tej se presidenti nxori më 2 shkurt “një raport të njëanshëm, shumë çorientues të shkruar nga republikanët në Komisionin e Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, prandaj do të ishte me vend që t’u ofronte amerikanëve të gjitha faktet”.

Javën e kaluar presidenti autorizoi nxjerrjen e një raporti të republikanëve, në të cilin ngriheshin pretendime se FBI-ja kishte siguruar në mënyrë të parregullt një leje nga gjykata për të përgjuar Carter Page, ish-këshilltar për fushatën Trump dhe për të zbuluar lidhjet që kishte me rusët.

Letra e zotit McGahn, konsulenti ligjor i Shtëpisë së Bardhë, drejtuar kreut të Komisionit për Zbulimin të Dhomës së Përfaqësuesve, Ligjvënësit republikan Nunes, kërkonte që të bëheshin ndryshimet e duhura përpara se të publikohej dokumenti.

Ligjvënësi Nunes qarkulloi një deklaratë të premten, ku shprehej se “pata paralajmëruar që raporti i demokratëve përmbante shumë burime dhe metoda... Nuk është befasuese që agjensitë sugjeruan të mos publikohej pa u redaktuar”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG