Lidhje

Menendez: SHBA dhe Evropa t'i ofrojnë armë Ukrainës


Një ligjvënës i njohur amerikan thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Europa duhet t'i ofrojnë armë ushtrisë së Ukrainës për të sprapsur atë që ai e quajti një pushtim rus.

Senatori Robert Menendez, i cili kryeson Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit, i bëri komentet në televizionin CNN nga kryeqyteti i Ukrainës, Kiev.

Senatori Menendez tha se "mijëra" trupa ruse ndodhen në Ukrainë duke mbështetur separatistët dhe se SHBA, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja "duhet t'u japin ukrainasve mundësinë për t'u vetëmbrojtur."

Senatori demokrat nga shteti verilindor New Jersey tha se ai nuk sugjeron që në Ukrainë të dërgohen trupa amerikane apo të NATO-s.

Ndërkohë, sot, Presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje për bisedime "të menjëhershme" dhe "thelbësore" lidhur me shtetësinë për Ukrainën juglindore të përfshirë nga trazirat.

Sipas agjencive ruse të lajmeve, duke folur në një televizion rus të kontrolluar nga shteti, zoti Putin tha se shtetësia është e nevojshme "për të mbrojtur interesat e ligjshme të njerëzve" që jetojnë në rajon.

Deri tani, Moska ka bërë thirrje për autonomi më të madhe, por të kufizuar për pjesët lindore të Ukrainës, ku jetojnë shumë rusishtfolës dhe ku separatistët pro-rusë janë aktivë.

XS
SM
MD
LG