Lidhje

Mëngjesi i lutjes në Uashington


Për 63 vjet me radhë, presidentët amerikanë janë mbledhur të enjten e parë të muajit shkurt së bashku me anëtarë të Kongresit dhe mijëra të ftuar nga mbarë bota për Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve. Ky takim sot shënoi edhe pjesmarrjen e fundit për presidentin Barack Obama. Presidenti tha se besimi është nga kurat më të mira për të mposhtur frikën.

Mëngjesi i lutjeve ka mbledhur në kryeqytetin amerikan mbi 3 të ftuar mes tyre edhe përsonalitete nga rreth 100 vende të botës. Presidenti Obama foli për rolin e fesë dhe se si besimi i ndihmon njerëzit të tejkalojnë frikën dhe të përqafojnë ndjenjat njerëzore.

“Besimi është kura më e mirë kundër frikës. Zoti u jep besimtarëve fuqinë, dashurinë dhe mendjen e pastër që duhet për të mposhtur çdo lloj frike.”

Presidenti tha se besimi i tij i krishterë i ka dhënë atij fuqi për të kapërcyer frikën e zakonshme të përditshme si prind siç është siguria për vajzat e tij e deri tek frika me të cilën përballet ai si president kur merr vendime për të dërguar trupat në veprime ushtarake jashtë vendit.

Ai tha se frika mund t’i bëjë njerëzit që të “fshikullojnë ata që janë ndryshe” dhe mund të çojë në dëshpërim dhe cinizëm.

“Kam marrë forcë veprat e shumë njerëzve të mirë të të gjitha besimeve në këtë vend dhe në mbarë botën përçojnë çdo ditë punën e Zotit”.

Ndërkohë dje, Presidenti Obama, gjatë vizitës së tij të parë si president në një xhami, bëri thirrje për tolerancë ndaj miliona myslimanëve të Amerikës, duke thënë se “ne jemi të gjithë një familje e madhe amerikane”.

"Në komunitetet myslismane anembanë vendit ka vend për shqetësim dhe ndoshta edhe frikë. Si gjithë amerikanët, ju jeni të shqetësuar nga terrorizmi, por ju keni edhe një shqetësim tjetër, që i gjithë komuniteti juaj shpesh fajësohet për aktet e dhunshme që kryen një pakicë”.

Presidenti bëri thirrje gjithashtu për t’ju kundërvënë paragjykimeve, që ai tha se janë në rritje në procesin e fushatës presidenciale, ndërkohë që flitet për luftë kundër terrorizmit.

Presidenti ka kritikuar komentet e bëra nga kandidatët presidencialë Donald Trump dhe Ted Cruz gjatë muajve të fundit.

Donald Trump bëri thjirrje për ndalimin e myslimanëve që të hyjnë në Amerikë për një vit, ndërsa Cruz ka sugjeruar që Shtetet e Bashkuara të strehojnë vetëm refugjatët e krishterë nga Siria.

Dita e sotme ishte hera e tetë dhe e fundit që presidenti Obama merr pjesë në Mëngjesin e Lutjes në Uashingtoni. Mandati i tij përfundon janarin që vjen.

XS
SM
MD
LG