Lidhje

Merkel: Evropa të krijojë një "bashkim politik"


Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se Evropa duhet të lëvizë përtej monedhës së përbashkët euro dhe të krijojë një "bashkim politik" për të zgjidhur krizën e borxhit.

Udhëheqësja gjermane tha sot se qeveritë e eurozonës duhet që "hap pas hapi" t’ia kalojnë kompetencat kontrollit evropian, propozim ky që ka ngjallur debate. Ajo i tha televizionit publik gjerman se një bashkim monetar nuk është i mjaftueshëm dhe se vendet e eurozonës duhet të miratojnë politika të përbashkëta buxhetore, të krijojnë një bashkim fiskal dhe "mbi të gjitha një bashkim politik."

Zonja Merkel është shprehur në favor të masave shtrënguese financiare për të luftuar krizën, përballë sfidave të reja nga bankat e dobëta spanjolle apo nga pasiguritë politike në Greqinë e zhytur në borxh.

Zonja Merkel, kancelare e vendit me ekonominë më të fuqishme të Evropës, ditët e fundit është ndodhur nën trysninë e presidentit Barak Obama dhe të kryeministrit britanik David Cameron për të nxitur rritjen ekonomike të kontinentit.
XS
SM
MD
LG