Lidhje

Zyrtari turk kritikon kancelaren gjermane Merkel


Ministri i Turqisë për Bashkimin Evropian, Omer Çelik tha sot se komentet e kancelares gjermane Angela Merkel për ndalimin e zgjerimit të një bashkimi doganor mes Ankarasë dhe Bashkimit Europian dëmtojnë kredibilitetin e bllokut. Zoti Çelik i bëri komentet pas një takimi në Ankara me Ministrin britanik të Shtetit, Alan Duncan.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të mërkurën se nuk do të ketë zgjerim të bashkimit doganor dhe "asnjë lloj thellimi" të lidhjeve mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian pas një serie mosmarrëveshjesh që lidhen me reagimin e Turqisë rreth përpjekjes së dështuar të vitit të kaluar për grusht shteti.

Ministri turk për Bashkimin Evropian, Omer Çelik gjatë një konference shtypi në Ankara tha se komentet e kancelares Merkel ishin "pa vend", duke shtuar se "asnjë vend i Bashkimit Evropian nuk duhet të japë urdhra për institucionet apo proceset e Bashkimit Evropian".

“Bashkimi Evropian dhe Turqia do të përfitonin nga një marrëveshje e re doganore. Por ata po veprojnë sikur me një marrëveshje të tillë ata do t’i bënin favore Turqisë. Kjo është e gabuar. Më lejoni të jem tepër i qartë, ne nuk kemi në asnjë lloj nxitimi për këtë çështje”.

Ministri turk gjithashtu i bëri thirrje Berlinit t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Turqisë për ekstradimin e një lektori teologjik që dyshohet se ka luajtur rol të madh në përpjekjen e dështuar të vitit të kaluar për grusht shteti.

“Madje mundësia që një person i cili ka lidhje të qarta me përpjekjen e dështuar për grusht shteti dhe që kërkohet nga Turqia, të strehohet në një vend aleat, është shqetësuese.”

Mediat turke kanë njoftuar se Adil Oksuz është parë në Frankfurt dhe Ulm dhe atij i është dhënë një leje e përkohshme qëndrimi nga shteti i Baden-Vurttembergut në Gjermani.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG