Lidhje

Koreja Jugore raporton për viktimën e 16-të të MERS-it


Virusi vdekjeprurës që u mori jetën 16 jug koreanëve është shfaqur për here të parë në Arabinë Saudite në vitin 2012

Koreja Jugore bëri të ditur të hënën se ka shkuar në 16-të numri i personave që kanë vdekur dhe për pesë të tjerë të infektuar me sindromin e rrugëve të frymëmarrjes i njohur si MERS.

Ministria e shëndetësisë tha se numri i përgjithshëm i rasteve, përfshirë edhe ata që kanë humbur jetën, ka arritur në 150, nga të cilët 17 janë në gjendje të rëndë.

Deri tash të gjitha infektimet kanë ndodhur neper spitale dhe ata që kanë vdekur vuanin nga sëmundje të tjera siç është Diabeti.

Një nga spitalet më të më të mëdha dhe me prestigjioze në Seul, të hënën pezulloi pjesërisht operacionet , pasi që virusi vdekjeprurës pushtoi mjediset e punës.

Presidenti i Spitalit Samsung, Song Jae-hoon, tha në një konferencë me gazetarë se spitali do të pezullojë të gjitha operacionet jo emergjente dhe nuk do të pranojë pacientë të rinj. Ai tha se nuk do të lejohen vizitorë dhe më 24 qershor do të vendoset nëse masat e pezullimit do të vazhdojnë.

Një ekip i ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha të shtunën se ndonëse numri i infektimeve është në rënie, shpërthimi ishte “i gjerë dhe i ndërlikuar”, prandaj duhet pritur raste të reja.

Mijëra veta që besohet se ishin në kontakt me të infektuarit, janë vënë në karantinë.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve Reuters, njoftoi se mijëra shkolla që ishin mbyllur nga frika e MERS-it u rihapën të hënën.

Shpërthimi bëri që Presidenti Park Geun-hye, të shtyjë vizitën e planifikuar për këtë javë në Shtetet e Bashkuara.

Frika nga virusi është zgjeruar edhe në pjesët tjera të Azisë, përfshirë edhe Hong Kongun, i cili javën e kaluar lëshoi “alarmin e kuq”, duke këshilluar shmangien e çdo udhëtimi jo të domosdoshëm në Korenë e Jugut.

Shqetësimet në publik u rritën pjesërisht edhe për shkak të thashethemeve në internet, por edhe për shkak se simptomat e MERS-it përfshijnë simptoma që janë tipike për gjendje joserioze shëndetësore siç janë ftohjet e zakonshme.

Aktualisht nuk ka një vaksinë për MERS-in shkalla e vdekshmërisë nga i cili arrin në 35 për qind, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

MERS-i u shfaq për herë të parë në Arabinë Saudite në vitin 2012 dhe është zgjeruar në disa vende të tjera.

XS
SM
MD
LG