Lidhje

Meta propozon kandidaturën e tretë për drejtuesin e KLSH


Petraq Milo

Në Shqipëri presidenti Ilir Meta i propozoi të mërkurën parlamentit kandidaturën e zotit Petraq Milo, për postin e drejtuesit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kjo është kandidatura e tretë e paraqitur nga presidenti Meta, pas refuzimit nga ana e shumicës së majtë të dy emrave të mëparshëm.

“Prof. Dr. Petraq Milo është një personalitet me një eksperiencë të jashtëzakonshme, brenda dhe jashtë vendit në fushën e financave, të auditit, të bankave dhe të ekonomisë në tërësi, gjithashtu me një kontribut të spikatur në drejtimin e institucioneve financiare, fiskale e bankare në Kosovë”, theksohet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e Kreut të Shtetit. “Presidenti Meta – vijon më tej njoftimi - duke qenë i bindur në drejtësinë e vendimit të tij, pasi ka lexuar me shumë vëmendje sugjerimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për kryetar i KLSH-së, nuk gjeti dot një kandidat më të përshtatshëm dhe me kaq eksperiencë të gjithanshme, si Prof. Dr. Petraq Milo, për të përmbushur me profesionalizëm dhe dinjitet këtë detyrë tepër të rëndësishme kushtetuese”.

Kandidatura e parë e propozuar nga presidenti Meta ishte ajo e Vitore Tushës, anëtare e Gjykatës Kushtetuese, e cila u refuzua nga parlamenti për shkak të mungesës së formimit në fushën e financave, një kriter bazë për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit. Me të njejtin motiv, u refuzua më pas dhe kandidatura e Bahri Shaqirit, ish drejtor i Shërbimeve sekrete shqiptare dhe aktualisht këshilltar i zotit Meta.

Zoti Milo nga ana e tij ka një përvojë të gjatë në institucionet financiare të vendit. Së fundmi, ai ka qenë dhe anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG