Lidhje

Meta, thirrje për dialog të vërtetë mes palëve politike


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, deklaroi sot se vetëm dialogu i përgjegjshëm dhe real mund të sjellë zgjidhjet politike për të rivendosur normalitetin e plotë kushtetues, institucional dhe demokratik.

Presidenti Meta i bëri komentet nga Durrësi, ku mori pjesë në ceremonitë përkujtimore në 80-vjetorin e rezistencës antifashiste të popullit shqiptar gjatë pushtimit italian më 7 prill 1939.

Zoti Meta tha se është detyrë e forcave kryesore politike, të tregojnë vullnet real për dialog, të heqin dorë nga përdorimi i forcës, e të udhëhiqen vetëm nga arsyeja dhe interesi i përbashkët.

Ai tha se mitingjet dhe anti-mitingjet janë të panevojshme dhe se arritjet e 22 viteve nuk mund të dëmtohen nga kokëfortësia dhe demonstrimet e forcës.

Zoti Meta bëri thirrje për reflektim dhe hapësira dialogu prej politikanëve të përgjegjshëm nga të dyja anët politike.

Komentet e tij erdhën një ditë para se Tiranën ta vizitojë Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën, Matthew Palmer, në kuadër të një turi ballkanik.

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit do të takohet gjatë vizitës disa-orëshe me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës., Lulzim Basha.

Zoti Palmer e viziton Tiranën në valën e një krize politike, që kulmoi me dorëzimin e mandateve parlamentare nga opozita, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit dhe zgjedhje të parakohshme, të organizuara nga një qeveri tranzitore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG