Lidhje

San Migel, Firencja e kontinentit amerikan


San Miguel, një qytet që po fiton reputacion si Firencja e kontinentit amerikan, është vlerësuar si “Qyteti më i mirë në botë” nga revista prestigjioze e turizmit Conde Nast. Dhe industria e turizmit e këtij qyteti po lulëzon.

Kur flitet për qytetin më të mirë të botës, nuk bëhet fjalë për Parisin apo Romën, as për Nju Jorkun. Është San Miguel de Allende (Ajende), i fshehur në zemër të Meksikës.

Në sondazhin e përvitshëm në internet mes 1.3 milionë vetëve, revista e turizmit Conde Nast e cilësonte këtë qytet si më të mirin në botë. Kjo ishte një befasi për një vend që shpesh shmanget nga turistët, për shkak të rrëmbimeve dhe nivelit të lartë të kriminalitetit. Në San Miguel de Allende, çdo pamje duket si kartolinë.

Ka disa kisha të ndërtuara gjatë kolonizimit spanjoll, para katër shekujve, megjithëse kjo komunë ishte e para që u shpall e pavarur nga perandolria spanjolle.Kupola madhështore, rrugë me kalldrëm dhe shtëpia të ngjyrosura në të kuqe, të verdhë dhe portokalli.

Por kjo nuk është e vetmja arsye që ky qytet klasifikohet më i miri. Kur arrijnë atje, turistët bëhen për vete nga vendasit. Dyqanet e veshjeve, galleritë artizanale, kafenet, restorantet dhe pazaret të përshëndesit në çdo kënd.

Nuk është habi që San Miguel de Allende është një nga të ashtuquajturit “qytete magjike” të Meksikës dhe në vitin 2008 u përfshi në listën e thesareve të trashëgimisë të Unescos. Ai është në shtetin Guanajuato, 260 kilometra në veri të qytetit të Meksikos.

Sipas të anketuarve nga Conde Nast, San Migel de Allende ka “ambjent të këndshëm, restorante me ushqim të mrekullueshëm, kulturë dhe është një qytet kozmopolitan”. Turistët janë gjithashtu të mahnitur që qyteti “nuk ka reklama të mëdha vezulluese”.

Në të vërtetë, San Miguel de Allende ruan magjinë e vet të lashtë përzier me disa nota modernizmi dhe ekskluziviteti për ata që preferojnë destinacionet luksoze.

San Miguel de Allende ka edhe një objekt të dytë të vlerësuar si pasuri botërore nga Unesco: Faltorja e Atotonilcos, një tempull i stilit barok i shekullit XVIII, 14 kilometra larg San Miguelit.

Atotonilco është një parajsë për artistët, një vend frymëzues për artistë nga e gjithë bota. Gregg Kreutz ka ardhur që nga Nju Jorku me studentët e tij.

“Ndërtesat, relievi dhe ngrohtësia e njerëzve janë të gjitha në harmoni. Bukuria ka depërtuar në gjithçka. Nga kjo pikëpamje mendoj se është i veçantë”.

Dhe kënaqësia nuk mbaron me perëndimin e diellit. Vizitorët mund të shëtisin me karroca me kuaj në rrugët e ngushta, nën dritat e qirinjve dhe pastaj u mbetet ende kohë që të shijojnë një koktej.

Një nga kënaqësitë më të mëdha të vizitorëve është që të shëtisin me një balonë duke parë nga lart rrugët e bukura. Coyote Canyon Adventures është një nga agjencitë kryesore turistike të qytetit dhe Rodrigo Landero është pronar i saj.

“Gjatë gjithë vitit organizohen aktivitete të ndryshme, përfshirë festivale xhazi dhe filmash ndërkombëtarë, festivale vallëzimi, prandaj ka gjithmonë diçka për të bërë, diçka për të parë, vende për të vizituar. Kjo e bën San Miguelin shumë interesant sepse gjithmonë ka diçka interesante”.

Qendra e artit La Aurora u hap para shtatë vjetësh nga artistja amerikane Mary Calderoni. Në atë kohë ajo ishte një fabrikë e braktisur. Sot, ajo është strehë për dhjetra artistë. Calderoni ndjen një energji të veçantë në këtë vend.

“Ka një lloj misteri këtu që na mbush me energji pozitive. Ne të gjithë e duam një gjë të tillë”.

Të provosh ushqimin vendas konsiderohet një domosdoshmëri dhe disa nga gatimet janë aq të veçanta saqë disa turistë duan t’i marrin recetat dhe t’i provojnë në shtëpi.

Në San Miguel aktualisht jetojnë 70 mijë të huaj që përbëjnë 10 për qind të popullsisë së përgjithshme dhe ky numër rritet veçanërisht nga ardhja e qytetarëve amerikanë. Ata shohin në këtë vend një parajsë për shqisat por edhe një destinacion të përballueshëm për të ndërmarrë një projekt, apo edhe për të kaluar vitet e pensionit.

XS
SM
MD
LG