Një tërmet i fuqishëm tronditi Meksikën të shtunën, duke shkaktuar alarme të reja në vendin që përpiqet të rimëkëmbet nga dy tërmete të fundit që vranë gati 400 njerëz..
Instituti Amerikan i Gjeologjisë tha se tërmeti i ri prej 6.1 ballësh ishte përqendruar në shtetin jugor të Oaksakës, rreth 360 kilometra në juglindje të kryeqytetit Mexico City, i cili ende po përpiqet të rimëkëmbet nga tërmeti i së martës që vrau të paktën 295 persona.
Zyrtarët thonë se tërmeti i së shtunës u ndje në Mexico City, duke tronditur ndërtesat e kryeqytetit meksikan. Nuk ka patur të dhëna nëse tërmeti i së shtunës shkaktoi viktima.
Agjencia meksikane për menaxhimin e fatkeqësive natyrore thotë se tërmeti i së shtunës është një tronditje që pason tërmetin 8.1 ballësh që goditi bregun jugor të Meksikës më 7 shtator, duke vrarë gati 100 vetë.
Autoritetet meksikane thonë se punëtorët e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë përmes rrënojave të tërmetit të së martës, duke refuzuar të heqin dorë nga shpresa për gjetjen e të mbijetuarve.
Punëtorët meksikanë të shpëtimit, të mbështetur nga ekipe nga e gjithë bota, duke përfshirë Izraelin, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara, kanë shpëtuar të paktën 60 njerëz në Mexico City dhe qytetet përreth.