Lidhje

Sa realist është plani për mur në kufirin SHBA-Meksikë


Urdhri ekzekutiv i Presidentit Donald Trump për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit SHBA-Meksikë që shtrihet për 3200 km pritet të hasë në pengesa ligjore dhe praktike. Në Kaliforninë e jugut, ku ka pasur prej vitesh struktura të ngritura në një pjesë të kufirit për të penguar futjen e imigrantëve të paligjshëm, banorët pohojnë se kanë vënë re ndryshime të mëdha me kalimin e kohës, por shtojnë se kanë shqetësime të mëdha për të drejtat e njeriut të imigrantëve.

Nëse vihet në jetë plani i Presidentit Trump, do të ngrihet një mur me lartësi 10-12 metra që do të shtrihet nga Gjiri i Meksikës në lindje, deri në Oqeanin Paqësor në perëndim.

“E keqja është që njerëzit gjejnë mënyra të tjera: me not në Paqësor, me varka të vogla peshkimi dhe si përfundim mbyten,” Enrique Morales.

Si themelues i organizatës “Engjëjt e Kufirit,” zoti Morales punon për të ndihmuar imigrantët në kufirin jugor amerikan, veçanërisht personat e dehidratuar në shkretëtirë, që përbën edhe shkakun kryesor të vdekjeve për imigrantët në të dyja anët e kufirit.

“Ky mur ka çuar në vdekjen e mbi 11 mijë vetëve që nga viti 1994. Kufiri mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës është mbi 3145km dhe aktualisht në 1/3 e tij ka mur. Kudo ku ka qytete, ka mur,” thotë zoti Morales.

Presidenti Trump thotë se është shumë e nevojshme të ndërtohet muri për të penguar futjen e imigrantëve të paligjshëm nga Amerika Qendrore. Në ato segmente të kufirit ku s’ka mur është përgjithësisht terren i vështirë që vëzhgohet nga ajri.

“Nëse njerëzit mendojnë se kufiri është plotësisht i hapur, e kanë gabim. Kemi barrierë përgjatë afro një pjese të kufirit prej 1000 km. Pjesa më e madhe e barrierës është pak a shumë e pakapërcyeshme; ka gjithashtu barriera natyrore. Në disa zona kemi male me lartësi mbi 3000 metra. Në zonën Altar në Arizonë, ku përpiqen të kalojnë shumë imigrantë, ka maja të larta dhe kalimi është shumë i rrezikshëm,” thotë Ed Meade i Institutit Ndërkufitar.

Togeri në pension Sean Murphy, i cili ka punuar me policinë e San Diegos thotë se lëvizja e imigrantëve në Kaliforninë e jugut ka rënë falë barrierave, por trafiku tani është zhvendosur më në lindje.

“Trafiku tani është zhvendosur drejt zonës shkretinore dhe trafikantët nuk duan t’ia dinë. Ata i sjellin njerëzit përmes kufirit, u thonë: ‘Arritët në Shtetet e Bashkuara, shkoni në atë drejtim’. Pastaj njerëzit vdesin nga etja, nga temperaturat e larta, nga lodhja. Këta janë njerëzit që duhet të ndjekë ligji”.

Nëse ndërtohet muri vetëm në gjysmën e kufirit që nuk ka barrierë do të kushtojë rreth 25 miliardë dollarë, sipas përllogaritjeve që ka bërë gazeta Washington Post. Gjatë fushatës, zoti Trump pat folur për një kosto sa gjysma e kësaj shume.

XS
SM
MD
LG