Lidhje

Michelle Bachelet, Komisionerja e re e Lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut


Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi emërimin e ish-presidentes së Kilit Michelle Bachelet në postin e Komisioneres të Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Bachelet ishte presidentja e parë grua në Kili dhe më vonë u bë kryetarja e parë e “UN Women”, një agjenci e OKB-së e dedikuar për barazinë globale të grave.

Ajo vetë ka qenë viktimë e abuzimeve të të drejtave të njeriut, duke vuajtur tortura nën regjimin famëkeq të krahut të djathtë nën udhëheqjen e gjeneralit Augusto Pinochet në fillim të viteve 1970.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e njoftoi përzgjedhjen e zonjës Bachelet disa ditë më parë dhe Asambleja e Përgjithshme prej 193 anëtarësh e miratoi kandidaturën e saj të premten.

Pas konfirmimit të votimit, Guterres u tha gazetarëve se Bachelet gëzon besimin dhe mbështetjen e tij të plotë:

“Ajo merr detyrën në një kohë me pasoja të mëdha tek të drejtat e njeriut. Urrejtja dhe pabarazia janë në rritje. Respektimi i të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe i të drejtave të njeriut është në rënie, hapësira për shoqërinë civile është duke u pakësuar, liria e shtypit është nën presion. Për trajtimin e këtyre rrymave, kemi nevojë për një mbështetës të fortë për të gjitha të drejtat e njeriut: civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Kemi nevojë për personin që mund të sigurojë integritetin e mekanizmave të domosdoshëm të të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara”.

Michelle Bachelet do të zëvendësojë jordanezin Zeid Ra-ad al-Hussein, mandati i të cilit përfundon më 31 gusht. Zoti Al-Hussein tha se e mbështet plotësisht zgjedhjen e saj:

“E mirëpresim këtë zgjedhje. Kam shumë vitë që e kam njohur Michelle, dhe pas konfirmimit nga Asambleja e Përgjithshme, do të fillojmë të punojmë së bashku për tranzicionin. Është një lajm i mrekullueshëm”.

Në një deklaratë, ambasadorja amerikane në OKB Nikki Haley, vuri në dukje dështimin e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së për të trajtuar ato që ajo i quajti “disa nga abuzimet më të ashpra të të drejtave të njeriut të kohës sonë”, më konkretisht, shkeljet e kryera nga qeveritë në Kubë dhe Venezuelë.

Ajo tha se do të jetë detyra e zonjës Bachelet të “flasë kundër këtyre dështimeve, në vend që të pranojë status quo-në”.

Në qershor, Nikkie Haley njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të largoheshin nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, duke thënë se shumë shpesh ky Këshill vë në shënjestër në mënyrë të padrejtë, Izraelin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG