Lidhje

Zonja Obama kritikon administratën Trump


Ish zonja e parë e Shteteve të Bashkuara Michelle Obama kritikoi vendimin e administratës së re Trump për të shtyrë zbatimin e rregullave federale që synojnë të bëjnë më të shëndetshëm ushqimin që shërbehet në mencat e shkollave publike. Zonja Obama i bëri komentet të premten, gjatë një konference për shëndetin, në aktivitetin e parë publik që pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.

Zonja Obama, e cila udhëhoqi një përpjekje mbarëkombëtare për të ulur ritmet e obezitetit tek fëmijët kur ishte zonjë e parë, tha të premten në konferencën vjetore të shëndetit në Uashington se një drekë e shëndetshme në shkollë është e rëndësishme sepse miliona fëmijë marrin ushqime të subvencionuara në shkollat publike.

“Ne nuk mund të vazhdojmë të pyesim pse; kemi arritur në këtë pikë sepse nuk po i kushtonim vëmendje problemit dhe ky është realiteti, nuk po kërkoj për fajtorë. Nëse nuk i kushtoni rëndësi problemit dhe ua lini të tjerëve në dorë të vendosin çfarë hani, çfarë u jepet fëmijëve, si pa kuptuar, fëmijët bëhen me diabet të tipit 2 dhe pastaj mbesni të befasuar dhe shpresoj që të keni kujdes shëndetësor,” tha ajo.

Ajo tha se përmirësimi i cilësisë së ushqimit në mencat e shkollave nuk duhet të trajtohet si çështje politike.

“E kemi për detyrë të bëjmë më të mirën e mundshme për fëmijët. E kemi detyrim ndaj tyre të lëmë mënjanë dallimet politike, të mos jemi cinikë, të mos dorëzohemi. E kemi për detyrë të jemi të sinqertë, të ndjeshëm, të dhembshur...dhe çdo gjë që bëj unë mendoj për fëmijët që më shikojnë dhe nëse bëra atë që thashë se do të bëja, sepse kjo ka rëndësi për fëmijët kur formohen dhe mund t’i lëndoni nëse i zhgënjeni” tha ish-zonja e parë.

Ekspertët e shëndetit thonë se fëmijët në Shtetet e Bashkuara nuk kanë aktivitet fizik të mjaftueshëm dhe se 1 në 6 fëmijë është mbipeshë.

Pa përmendur emrin e administratës Trump, zonja Obama u kërkoi prindërve të mendonin rreth udhëzimeve të qeverisë së re dhe motivet pas tyre.

Administrata Trump kohët e fundit tha se do të shtynte zbatimin e rregullave federale të promovuara nga zonja Obama, të cilat synojnë që në mencat e shkollave të shërbehet ushqim më i shëndetshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG