Lidhje

Dyndje emigrantësh në Maqedoni


Qindra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika mbërritën sot herët në fshatin kufitar grek të Idomenit, për të kaluar në Maqedoni. Maqedonia lejon hyrjen e 1 mijë vetëve njëherësh dhe refugjatët mund të qëndrojnë atje për 72 orë tranzit. Grupe të tilla të mëdha refugjatësh që vijnë nga Greqia kanë përmbytur një stacion të vogël hekurudhor në vend. Qindra sirianë, afganë dhe irakianë, pa përfillur rreziqet, dynden për të hipur në trenat drejt Beogradit, në rrugën drejt Hungarisë dhe zonës Shengen pa kufij të Evropës Perëndimore.

Kjo skenë përsëritet tani çdo ditë në Gevgelija, e cila po shndërrohet me shpejtësi në një tjetër pikë dyndjeje të refugjatëve, njëlloj si ishulli Kos i Greqisë apo porti Kale i Francës, në krizën e emigrantëve që ka përfshirë Evropën. Një zyrtar i Kryqit të Kuq vlerëson se janë 2,000 vetë që kalojnë çdo ditë nga Greqia për në Maqedoni, nga 1,000 që ishin pak javë më parë. Ata vijnë në grupe të mëdha në stacionin e trenit.

Shumë prej tyre nxitojnë të shkojnë në Hungari përpara përfundimit në fund të gushtit të një gardhi katër metra të lartë përgjatë kufirit me Serbinë.

Gardhi, i cili të kujton Luftën e Ftohtë në Evropë, rrezikon të krijojë grumbullime akoma më të mëdha. Vetëm këtë vit, 90.000 njerëz kanë kërkuar azil në Serbi, duke iu shmangur arrestimit para se të vazhdojnë për në veri drejt Hungarisë. Numri i vërtetë ka gjasa të jetë shumë më i lartë.\

Ndërkohë që ata presin ardhjen e trenit, familjet qëndrojnë pranë platformës, në radhë për në zyrën e policisë kufitare.

"Kam hallin e djalit dhe gruas që të jenë në një vend të mirë, dhe që vetë të kem punë. Nuk kërkoj ndihmë në Evropë, sepse jam i kualifikuar. Sapo të marr lejen për të punuar, do të punoj," thotë Ahmedi, refugjat sirian.

Ai ka marrë dokumentet për të vazhduar udhëtimin me gruan në muajin e tetë të shtatzanisë.

"Jeta ishte shumë e vështirë atje, jemi shumë të lodhur. Vazhdimisht kishte bombardime. Fëmijët e mi nuk duronin më. Ata nuk mund të shkonin në shkollë,” thotë një tjetër refugjat sirian, Abdul Min'am, familja e të cilit vazhdon të presë për të marrë dokumentet.

Sapo arrin një tren për në Serbi, prindërit i fusin fëmijët e vegjël nga dritaret e hapura.

Maqedonia thotë se po bën gjithshka mundet për të përballuar problemin, por ashtu si në Serbi, përmasat e krizës i tejkalojnë mjaft burimet e vendit për zgjidhjen e saj.

"Jemi duke punuar nga afër me qeverinë, për shpejtimin e procedurave dhe për këtë kemi marrë shumë masa. Puna është përmirësuar çdo ditë, por problemi është se edhe numri i njerëzve është në rritje çdo ditë,” thotë Alexandra Krause e agjencisë së OKB-së për refugjatët.

Platforma e trenit është kthyer në një treg të hapur, ku vendasit shesin pije, cigare dhe ëmbëlsira.

Zyrtarët e qytetit janë cituar të kenë thënë se Maqedonia dhe Serbia duhet të shqyrtojnë tani mundësinë e ndërtimit të gardheve të tyre në kufi.

XS
SM
MD
LG