Lidhje

Mijëra palestinezë lënë Bregun Perëndimor për të jetuar në Jordani


Mijëra palestinezë lënë Bregun Perëndimor për të jetuar në Jordani
Mijëra palestinezë lënë Bregun Perëndimor për të jetuar në Jordani

Gjatë viteve të fundit, jeta nën pushtimin izraelit ka detyruar mijëra palestinezë që të lënë shtëpitë e tyre në Bregun Perëndimor e të nisin jetën në Jordaninë fqinje. Ata shkojnë atje në kërkim të një jete normale, pa postoblloqe dhe konflikte me banorët izraelitë.

Jeta në periferinë luksoze të Amanit është shumë herë më e mirë se jeta që Shahinda El Kilani la pas në qytetin e lindjes, Hebron të Bregut Perëndimor.

“Këtu ka siguri, ka stabilitet, nuk ka frikë. Fëmijët e mi mund të dalin dhe unë nuk jam e shqetësuar për ta”.

El Kilani dhe familja e saj po ndërtojnë një shtëpi dhe një jetë të re në Jordani.

Ata janë mes mijëra palestinezëve të pasur me shtetësi jordaneze që lanë Bregun Perëndimor për të ndërtuar shtëpitë e tyre në Aman. Palestinezët përbëjnë 50-80% të popullatës në Jordani, dhe mbajnë poste qeveritare.El Kilani, si banorët e tjerë palestinezë, thotë se ndonëse ndjehet e sigurt këtu, ky nuk do të jetë kurrë vendi i saj.

“Ky nuk është vendi ynë. Ne do të rrijmë përkohësisht këtu, e më pas do të rikthehemi në vendlindje”.

Në Izrael, disa ultranacionalistë duan transferimin e Palestinezëve në Jordani. Një peticion po qarkullon në internet i cili i bën thirrje mbretit Abdullah që t’a deklarojë Jordaninë një shtet palestinez. Qeveria e Izraelit është distancuar nga ky peticion, dhe palestinezët e kanë hedhur poshtë atë. Mahdi Abdel Haidi është analist politik.

“ Kjo është e papranueshme. Kjo nuk duhet bërë. Askush nuk e pranon dhe nuk e lejon një gjë të tillë. Asnjë palestinezë në këtë botë, nuk mund të pranojë një atdhe që të zëvendësojë Palestinën”.

Shahinda El Kalin është e zhgënjyer nga proçesi i paqes dhe dyshon nëse konflikti izraelito palesinezë do të zgjidhet. Por për të, shpresa nuk ka vdekur.

“Ne nuk presim asgjë. Por në të njëjtën kohë, unë shpresoj se diçka do të ndodhë pasi ekziston ëndrra se diçka e mirë do të ndodhë dhe ne do të rikthehemi”.

Ndërkohë, ajo po përpiqet që të lërë pas vuajtjen e të eci përpara, duke ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët e saj në brigjet e lumit Jordan.

XS
SM
MD
LG