Lidhje

Mijëra refugjatë sirianë gjejnë strehë në Liban


Mijëra refugjatë sirianë gjejnë strehë në Liban
Mijëra refugjatë sirianë gjejnë strehë në Liban

Mijëra sirianë janë zhvendosur drejt Turqisë dhe Libanit, si pasojë e shtypjes së dhunshme që qeveria po përdor ndaj trazirave vendase gjatë këtyre 5 muajve. Disa qindra prej tyre po marrin ushqim dhe ndihmë mjekësore në një xhami në Wadi Khaled në veri të Libanit, pak kilometra nga kufiri me Sirinë.

Thuajse ka rënë pasditja në xhaminë Makhtoum pranë kufirit me Sirinë. Punonjësitë libanezë të ndihmave po u shpërndajnë ndihma refugjatëve të shpërngulur nga dhuna në Siri.

60 vjeçari Al Mohamed al Kurdi mbërriti këtu 2 muaj më parë, vetëm me rrobat e trupit. Forcat milicore siriane sulmuan shtëpinë e tij. Ata vranë dhe gjymtuan 5 të rinj të familjes së tij:

“Do të rri këtu deri sa të rrëzohet regjimi dhe nëse ai nuk bie, do të vras vehten pikërisht këtu”.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se rreth 1,700 njerëz kanë vdekur gjatë trazirave dhe thuajse 3,000 janë të zhdukur. Qeveria siriane thotë se është vënë në ndjekje të terroristëve të armatosur. Disidentët nga ana e tyre, thonë se të vetmit njerëz të armatosur, janë trupat qeveritare dhe milicia e tyre.

Abdullah Tassi punon me grupin e ndihmave, Bekaa Youth për Zhvillimin e Arsimimit falas. Ai thotë se janë rreth 5 mijë refugjatë sirianë në këtë zonë . Kur erdhën fillimisht, thotë ai, ata menduan se do të rrinin këtu vetëm për pak ditë:

“Por ndërsa ditët kalonin, ata filluan të besonin se do të qëndrojnë këtu për një kohë të gjatë. Disa prej tyre po përpiqen të shoqërohen me vendasit dhe të tjerë kanë shkuar nëpër fshatra larg prej këtej”.

Kasim Ayoubi punon në këtë klinikë lëvizëse. Ai thotë se sëmundjet e ndryshme të shoqëruara me dhimbje fizike janë të zakonshme tek refugjatët. Por ata janë të traumatizuar mendërisht, thotë ai.

“Ata nuk janë të qetë. Ndjehen anë mendërisht të lodhur, janë të frikësuar. Madje kanë frikë edhe të filmohen”.

33 vjeçarja Um HAMZA tregon vetëm emrin. Ajo u largua nga shtëpia në Homs një muaj më parë pasi 7 fëmijët e saj ishin të frikësuar. Por ajo ende ka besim se gjendja do të ndryshojë.

“Me vullnetin e Zotit, ne do të rikthehemi sepse duam ta bëjmë një gjë të tillë. Ne duam lirinë. Duam të jetojmë si të tjerët. Duam të shpëtojmë nga shtypja dhe represioni. Edhe nëse do na duhet të sakrifikojmë, nëse disa njerëz do të vdesin, jemi të përgatitur për këtë”.

Ndërsa trazirat vazhdojnë dhe shtypja shtohet, sirianët po bëjnë thirrje për më shumë mbështetje ndërkombëtare, sanksione dhe presion diplomatik. Por ata thonë se nuk duan ndërhyrje ushtarake nga jashtë, pasi revolucioni i tyre nuk është i dhunshëm.

ITEM #

XS
SM
MD
LG