Lidhje

Drejtori në largim i IRS, janë bërë “gabime të pamenduara”


Steven Miller i tha një paneli të Kongresit se “politizimi apo madje edhe perceptimi për politizim partiak, nuk kanë vend” në agjencinë që ai ka drejtuar

Drejtori në largim i agjencisë amerikane për grumbullimin e taksave, IRS tha se janë bërë “gabime të pamenduara” kur janë vënë në shënjestër grupet politike konservatore që kundërshtonin politikat e presidentit Obama mbi taksat dhe shpenzimet.

Steven Miller, të cilin presidenti Obama e largoi nga posti i drejtorit të agjencisë për grumbullimin e taksave, i tha një paneli të Kongresit sot se “politizimi apo madje edhe perceptimi për politizim partiak, nuk kanë vend” në agjencinë që ka drejtuar ai.

Zoti Miller kërkoi falje për rolin e agjencisë së grumbullimit të taksave në fillimin e hetimeve të hollësishme të gati 300 grupeve konservatore që aplikuan për status të veçantë për mospagimin e taksave gjatë tre viteve të fundit. Hetimet rezultuan në vonesa të gjata, por zoti Miller tha se ai nuk mendon se veprimet ishin politikisht të motivuara.
Ligjvënësit republikanë dhe demokratë në një seancë dëgjimore të zhvilluar sot në Kongres kritikuan ashpër taktikat e agjencisë së grumbullimit të taksave, dhe kërkuan të dinin se pse grupet konservatore ishin në shënjestër të agjencisë.
XS
SM
MD
LG