Lidhje

Ministrat e Brendshëm gjerman e francez në Tiranë


Ministrat e Brendshëm të Gjermanisë dhe të Francës ishin sot pasdite në Tiranë për të diskutuar me autoritetet shqiptare mbi forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar si dhe cështjet e emigrimit të paligjshëm dhe rritje së numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria. Ministri i Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri tha në përfundim të takimit të përbashkët se ishte rënë dakort për ngritjen e një grupi ekspertësh që do të ndihmonte në forcimin e kapaciteteve të Byrosë kombëtare të hetimit, një institucion i cili pritet të ngrihet së shpejti e që do të ketë në fokus luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

KRIMI DHE KERKESAT PER AZIL NE BE, NE TIRANE MINISTRI I BRENDSHEM FRANCEZ E GJERMAN
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:55 0:00

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Tomas de Maziere dhe ai francez Bernard Cazeneuve konfirmuan sot mbështetjen ndaj Shqipërisë në përpjekjet e saj për të luftuar krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme dhe korrupsionin. Këto cështje janë thelbësore që vendi të bëjë përpara në procesin e integrimit dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha në përfundim të takimit me homologët e tij europian se kishte kërkuar që në rrugën e hapjes së bisedimeve për anëtarësim Shqipëria të mund të shfrytëzonte ekspertizën e Gjermanisë dhe të Francës.

Duke folur për ngritjen së shpejti të Byrosë kombëtare të hetimit, një institucion i posacëm që do të ketë në fokus vecanërisht luftën ndaj korrupsionit në nivelet e larta, zoti Tahiri tha se “ramë dakord me të dy kolegët për të ngritur një grup specifik pune, të cilët duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht, veçanërisht për të ngritur kapacitetet e Byrosë Kombëtare të Hetimit në mënyrë që të kemi hetime efektive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Ministrat e Gjermanisë dhe Francës mbërritën në Tiranë pas një qëndrimi në Beograd, ku kanë diskutuar të njejtat cështje, mes të cilave edhe ajo e emigrimit të paligjshëm dhe azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit. Një javë më parë u publikuan të dhënat për vitin e kaluar të cilat flisnin për një rritje të kërkesave për azil. Nga Serbia në 2013 ka patur 22.420 kërkesa me një rritje prej 18 përqind, ndërsa nga Shqipëria 11.040 kërkesa, me një rritje të fortë prej 47 përqind. Gjermania është vendi që ka patur kërkesat më të shumta, kryesisht nga qytetarë serbë, ndërkohë që 46 përqind e shqiptarëve që kanë kërkuar azil kanë preferuar Francën.

Në 4 muajt e parë të këtij viti, kërkesat për azil që kanë bërë shqiptarët, kanë qenë gati dyfishi i atyre për gjithë vitin e shkuar. Sigurisht që këtu nuk ka ndonjë arsye objektive, bile do të thosha nuk ka arsye për ta kërkuar këtë, dhe në të gjitha rastet që shikohen kërkesat e azilantëve, besoj se numri i atyre që mund të pranohen nuk mund të arrijë më shumë se 2%. Sigurisht me këtë rast dëshiroj t’u bëj një apel qytetarëve shqiptarë mos ta ndjekin këtë rrugë, sepse kjo është një rrugë e vështirë, është ilegale dhe nuk ka asnjë shans për të qendruar nëpërmjet kësaj rruge në Gjermani”, deklaroi ministri gjerman de Maziere .

Edhe ministri i Brendshëm francez u shpreh se Shqipëria futet ndër vendet e sigurta e për pasojë nuk ka mundësi për pranimin e kërkesave për azil: “Ne jemi të vendosur të luftojmë së bashku kundër këtij fenomeni, kundër rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore. Jo më kot Shqipëria është vendosur në listën e vendeve me origjinë të sigurt, pra të gjithë shqiptarët duhet të dinë që nuk ëhstë e mundur të emigrohet në Francë dhe përgjigjja jonë do të jetë e fortë ndaj të gjitha këtyre rrjeteve, që i bëjnë njerëzit të shpresojmë më kot në një emigrim të paligjshëm”.

Nga ana e tij edhe ministri Tahiri u agazhua për përpjekje të mëtejshme kundër këtij fenomeni: “Ramë dakord me partnerët që këtë luftë ta çojmë në një stad tjetër për të mos lejuar që trafikimi i qënjeve njerëzore apo emigrimi i paligjshëm të kthehet në problem të përbashkët. Shqipëria sot nuk ofron asnjë kusht për të legjitimuar emigrimin e paligjshëm apo kërkimin e azilit në BE, qoftë për nga stabiliteti demokratik apo zhvillimi ekonomik i konsoliduar, ndaj edhe unë i bashkohem bashkë me kolegët thirrjes për qytetarët që as mos e provojnë të shohin të ardhmen e tyre nëpërmjet mënyrave të paligjshme siç është kërkimi i azilit në vendet e BE-së, sepse kjo është praktikisht e pamundur”.

Ministrat gjerman dhe francez thanë se nuk bëhet fjalë për rrezikun e rikthimit të regjimit të vizave, por se duhej bërë c’është e mundur saktësuan ata, për të frenuar fenomenin e emigramit të paligjshëm.


XS
SM
MD
LG