Lidhje

Ministrat e NATO-s në Uashington në 70-vjetorin e Aleancës


Ministrat e jashtëm të NATO-s u takuan të enjten për të shënuar 70 vjetorin e Aleancës në klimën e të çarave të krijuara midis vendeve anëtare për çështje të sigurisë dhe tregtisë.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo hapi takimin me një thirrje për unitet për t'u përballur me sfidat që vijnë nga Rusia, Kina dhe Irani. Ai përmendi faktin që NATO-ja arriti të frenojë Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë dhe tha se aleanca është e pozicionuar mirë për të ecur përpara, ndërsa përballet me sfida të reja dhe në ndryshim të vazhdueshëm.

Por mosmarrëveshja që po thellohet me Turqinë lidhur me blerjen e ploanifikuar prej saj të një sistemi rus të mbrojtjes ajrore dhe kërkesat e SHBA ndaj aleatëve, veçanërisht Gjermanisë, për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, kërcënuan të errësonin punimet, megjithëse ministrat ranë dakord të ndërmarrin veprime për t'u përballur me agresivitetin në rritje të Rusisë dhe shkeljen prej saj të një marrëveshjeje të rëndësishme për kontrollin e armëve.

Ministrat ranë dakord mbi një paketë masash për të ndihmuar aspirantët e aleancës, Gjeorgjinë dhe Ukrainën, veçanërisht me rritjen e bashkëpunimit detar në Detin e Zi, patrullimet dhe vizitat portuale, sipas shefit të NATO-s Jens Stoltenberg.

US NATO
US NATO

Ata përsëritën ndërkaq kërkesat që Rusia t'i japë fund aneksimit të Krimesë, të lirojë marinarët dhe anijet ukrainase të konfiskuara gjatë një konfrontimi vitin e kaluar në Detin Azov dhe të respektojnë Traktatin e Forcave Bërthamore. Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja e vitit 1987 në muajin gusht, nëse Rusia nuk i përmbahet traktatit.

"Ne me të drejtë kemi kërkuar paqe përmes forcës këtu në NATO", tha zoti Pompeo. "Ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë, veçanërisht në këtë epokë të re të konkurrencës së fuqisë së madhe nga ana e Rusisë, Kinës dhe Republikës Islamike të Iranit.”

Trajtimi i këtyre sfidave dhe të tjerave si terrorizmi, krimi kibernetik, migrimi i pakontrolluar, kërcënimet ndaj sigurisë së energjisë dhe teknologjitë e reja do të kërkojnë burime të zgjeruara, tha ai.

Sekretari Pompeo tha se çdo anëtar i NATO-s ka një detyrim t'u shpjegojë qytetarëve nevojën për të rritur buxhetet e tyre të mbrojtjes dhe hodhi poshtë ato që ai i quajti "argumente të lodhura" se publiku është kundër shpenzimeve të tilla.

“Këto janë sigurisht sfida reale dhe tani nuk është koha për të përsëritur arsyetimet e lodhura se qytetarët tanë nuk mbështesin rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes apo shpenzimet e sigurisë,'' tha ai.

Zoti Pompeo tha se të bindësh qytetarët për rëndësinë kyçe dhe qëndrore të këtij institucioni, është "një hap kyç në përballimin e këtyre kërcënimeve".

Shefi i NATO-s Stoltenberg, në një fjalim në Kongres të mërkurën dhe përsëri të enjten, pranoi ekzistencën e ndarjeve serioze brenda aleancës dhe bëri thirrje për buxhete më të mëdha të mbrojtjes për t'u përballur me sfidat globale siç është agresiviteti rus, arsyeja kryesore që NATO-ja u krijua 70 vjet më parë në Uashington.

"Të gjithë aleatët duhet të vënë në jetë zotimin që kanë marrë", tha ai, duke theksuar se nevojiten burime shtesë për t'u përballur me një mjedis më të vështirë të sigurisë.

Presidenti Donald Trump ka vënë në pikëpyetje vlerën e aleancës dhe ka lënë të kuptohet se disa vende anëtare përfitojnë në kurriz të të tjerëve.

Zoti Pompeo nuk foli për mosmarrëveshjen me Turqinë në komentet e tij, por të mërkurën në një takim me ministrin e jashtëm turk Mevlut Cavusoglu ai i kishte bërë të qartë pakënaqësinë e Uashingtonit ndaj këmbënguljes së Ankarasë për të blerë sistemin e avancuar S-400 të Rusisë në vend të sistemi amerikan Patriot.

Në një shenjë tjetër për rritjen e tensioneve midis dy vendeve, ministria e jashtme e Turqisë ngriti pikëpyetje mbi versionin e paraqitur nga Departamenti i Shtetit rreth ecurisë së takimit, ku thuhej se zoti Pompeo kishte paralajmëruar për "pasoja potencialisht shkatërrimtare" të aksionit të njëanshëm ushtarak turk në Sirinë veriore, si dhe për pasoja nëse Turqia blen sistemin rus S-400.

Ministria tha se ky version nuk pasqyronte me saktësi përmbajtjen e bisedës dhe shtonte se “aleanca jonë natyrisht kërkon që deklarata të tilla të përgatiten me kujdes më të madh''.

Administrata Trump po kërcënon të ndalë livrimin Turqisë të avionit luftarak më të ri amerikan, F-35, nëse blerja e sistemit S-400 realizohet. Nënpresidenti Mike Pence bëri të njëjtin paralajmërim, duke vënë në dukje se Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të NATO-s kanë shqetësime të mëdha për sistemin S-400 pasi ai nuk është i ndërveprueshëm me sistemet e aleancës.

“Turqia duhet të zgjedhë,'' tha zoti Pence të mërkurën. “A dëshiron ajo të mbetet një partnere kritike në aleancën ushtarake më të suksesshme në historinë e botës apo dëshiron të rrezikojë sigurinë e këtij partneriteti duke marrë vendime të pamatur që minojnë aleancën tonë?''

Ministri i jashtëm Çavusoglu dhe zyrtarë të tjerë turq thonë se nuk do t’i ndryshojnë planet për marrëveshjen, sepse nevoja është urgjente dhe sistemi amerikan Patriot kërkon një dekadë kohë të livrohet. Ata kanë thënë gjithashtu se sistemi rus S-400 nuk do të jetë i lidhur me sistemet e NATO-s por do të shërbejë si mekanizëm mbrojtës i pavarur.

Zoti Stoltenberg pohoi se kjo çështje ishte një temë e diskutimit të ashpër midis SHBA dhe Turqisë por shprehu shpresën se një zgjidhje është e mundur. “Ne e kuptojmë plotësisht se kjo është tani një sfidë,” tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG