Lidhje

Ministri izraelit: Avionët tanë mund të arrijnë Teheranin


Iran Nuclear

Një ministër izraelit ashpërsoi paralajmërimet për atë që mund të ndodhë nëse midis Iranit dhe fuqive botërore arrihet një marrëveshje bërthamore, që do të gjykohej si e pafavorshme, duke thënë se kjo me siguri do të pasohej nga një luftë me Teheranin.

Ndërsa Presidenti Joe Biden po shikon mundësinë që SHBA të kthehen në marrëveshjen e vitit 2015 për frenimin e programit bërthamor të Iranit që paraardhësi i tij Donald Trump e braktisi, Izraeli i ka shtuar thirrjet që teknologjive dhe projekteve të ndjeshme iraniane t’u vihen më shumë kufizime.

Irani, i cili këtë javë rinisi bisedimet e tërthorta me të dërguarit amerikanë në Vjenë për heqjen e sanksioneve, ka përjashtuar çdo kufizim të mëtejshëm ndaj veprimeve iraniane.

Duke përsëritur pozicionin e Izraelit se nuk e konsideron veten të shtrënguar nga diplomacia, Ministri izraelit i Zbulimit, Eli Cohen tha: "Një marrëveshje e keqe do ta zhyste rajonin në luftë".

"Kushdo që kërkon përfitime afatshkurtra duhet të ketë kujdes për periudhën afatgjatë," tha ai për Reuters. "Izraeli nuk do ta lejojë Iranin të ketë armë bërthamore. Irani nuk ka imunitet askund. Avionët tanë mund të arrijnë kudo në Lindjen e Mesme dhe sigurisht edhe në Iran."

Irani thotë se ambiciet e tij bërthamore janë paqësore.

Zoti Cohen tha se përveç që duhet t’i mohojnë Iranit mjetet për pasurimin e uraniumit dhe zhvillimin e raketave balistike, fuqitë botërore duhet ta bëjnë atë të ndalë "destabilizimin e vendeve të tjera" dhe financimin e militantëve.

Bisedimet në Vjenë janë lënë në hije nga ato që duket të jenë sulme të ndërsjella sabotuese mes anijeve izraelite dhe iraniane, si dhe nga shpërthimi në impiantin Natanz të pasurimit të uraniumit në Iran. Teherani ka fajësuar Izraelin për sulmin.

Zoti Cohen, në përputhje me politikën izraelite, nuk pranoi të komentojë.

Izraeli dërgoi përfaqësues të lartë në Uashington këtë javë për të diskutuar mbi Iranin me homologët amerikanë. Shtëpia e Bardhë tha se aleatët ranë dakord mbi "kërcënimin domethënës" që paraqet sjellja e Iranit në rajon.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG