Lidhje

Marijuana shqiptare drejt Hollandës


Policia greke tha se goditi një rast të trafikut të marijuanës që ishte transportuar nga Shqipëria dhe kishte si destinacion Hollandën. Rreth 80 kilogramë marijuanë u bllokuan, ndërsa 120 kilogramë të tjera ishin bllokuar pak kohë më parë nga policia greke. Sipas të dhënave policore lënda narkotike ishte blerë në Janinë nga trafikantët shqiptarë nga rrjeti grek i trafikantëve.

Policia greke vijon bllokimet e sasive të marijuanës nga Shqipëria, ndërkohë që trafikantët po përdorin gjithnjë e më shumë “korrierë” të vegjël për të transportuar lëndën narkotike. Policia greke e rajonit të Kastorias në Greqinë Verilindore, në kufi me Korçën, dy ditë më parë bllokoi 63 kg marijuanë dhe arrestoi tre persona, dy meshkujt dhe një vajzë 19 vjeçare nga Shqipëria. Sipas policisë greke lënda narkotike transportohej nga njëra prej makinave, ndërsa automjeti tjetër i drejtuar nga 19 vjeçarja shqiptare kontrollonte rrugën.

Një tjetër transportues shqiptar marijuane u bllokua këtë javë në një autobuz që po udhëtonte drejt Prevezës në Greqinë Veriore, njoftuan mediat vendore të Janinës. Burimet policore greke vlerësojnë se trafikantët shqiptarë dhe grekë i ndryshojnë herë pas here mënyrat dhe strategjitë për t`i shpëtuar kontrolleve si në hapësirën detare edhe në brezin e kufirit tokësor.

XS
SM
MD
LG