Një gjykatë britanike vendosi se autoritetet lejohen të analizojnë sendet që ata i konfiskuan partnerit të një gazetari, i cili ka shkruar gjerësisht mbi programet sekrete amerikane të përgjimit.
Gjykata tha sot se për të mbrojtur sigurinë kombëtare britanike, policia mund të kontrollojë laptopin, telefonin dhe USB-të që i morën David Mirandës, shtetas brazilian, kur ai po kalonte në Aeroportin Heathrow të Londrës gjatë rrugës për në Rio de Zhaneiro.
Miranda është partner i gazetarit amerikan Glenn Greenwald. Ai ka botuar në gazetën britanike Guardian shkrime, bazuar në dokumentet e nxjerra nga ish kontraktori i agjencive amerikane të zbulimit Edward Snowden, dokumente ku flitet me hollësi mbi përgjimet në masë të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.
Avokati i zotit Miranda u përpoq të mos lejonte analizimin sendeve të konfiskuara, por gjykata tha se pajisjet elektronike në fjalë mund të ekzaminohen për arësye të sigurisë kombëtare.
Një avokat i policisë britanike tha se policia kishte filluar skanimin e dhjetra mijëra faqeve dixhitale që i ishin kapur Mirandës dhe se kishte gjetur aty material mjaft sensitiv.