Lidhje

Mision evropiano-amerikan i hapësirës


Agjencia Evropiane e Hapësirës, ESA, dhe ajo amerikane, NASA, kanë në plan të ndërmarrin një mision të përbashkët për të mësuar më shumë mbi asteroidët. Dy agjensitë shpresojnë të fitojnë njohuritë e duhura në rast se ndonjë asteriod kërcënon Tokën. Misioni "Asteroid Impact", i njohur si AIM, mund të fillojë në vitin 2020. Ideja është ankorimi në një asteroid dhe vëzhgimi i përplasjes së një mjeti të NASA-s me hënën e vogël të këtij asteroidi.

Në shkurt 2013, në rajonin Chelyabinsk të Rusisë, një meteor me diametër 18 metra hyri në atmosferën e Tokës me shpejtësi 67 mijë kilometra në orë dhe pastaj shpërtheu në Malet Urale.

Më shumë se 1600 njerëz pësuan dëmtime nga vala e shpërthimit, që ishte e barabartë me 20 bomba atomike si ajo e Hiroshimës. Ky ishte shpërthimi më i madh i një meteori në Tokë prej më shumë se një shekulli.

Asteroidë të vegjël e godasin planetin tonë një herë në disa dekada, por goditjet e mëdha përbëjnë një kërcënim real për jetën në Tokë.

Agjensia Evropiane e Hapësirës thotë se njohja më e mirë e sipërfaqes dhe e strukturës së asteroidëve është me shumë rëndësi për të përmirësuar teknologjitë për devijimin e tyre.

"Objektivi kryesor i misionit AIM është të testohet se si mund të mbrohemi më mirë nga një asteroid që mund të rrezikojë Tokën,” thotë shkencëtari Michael Kueppers.​ "Ne do të studiojmë një asteroid të dyfishtë për të kuptuar më mirë se si mund të shmangim një goditje të mundshme me Tokën.”

Nëse çdo gjë miratohet, misioni AIM do të fillojë në vitin 2020 me një sondë që do të udhëtojë 11 milionë kilometra për të arritur në asteroidin Didymos, rreth të cilit sillet një hënë e vogël.

"Sonda do të takohet me asteroidin në qershor 2022," thotë Ian Carnelli, kreu i Misionit AIM.​ "Puna e parë e sondës është të marrë fotografi me rezolucion të lartë për të rindërtuar formën e hënës së asteroidit në mënyrë tredimensionale. Pastaj do të eksperimentohet një mënyrë për transmetimin e shpejtë të imazheve në Tokë me një sistem lazer. Pas matjeve dhe pas nxjerrjes së modelit tredimensional, do të përcaktojmë strukturën e brendshme të asteroidit, duke ankoruar një mikrosondë në sipërfaqen e tij, që do të emetojë radiovalë.”

Në fazën tjetër, sonda AIM do të largohet në një farë distance nga asteroidi për të vëzhguar përplasjen e një mjeti të ndërtuar posaçërisht nga NASA.

Nëse përplasja arrin t’ia ndryshojë orbitën hënës së asteroidit, kjo do të ishte hera e parë që njerëzimi ndryshon dinamikën e një trupi qiellor.

Ndërtimi i anijes së hapësirës mund të fillojë nga fundi i vitit 2016.

XS
SM
MD
LG