Lidhje

Mitt Romney fillon punën për përzgjedhjen e kandidatit për nënpresident


Ish guvernatori i shtetit Massachusets Mitt Romney ka filluar punën për gjetjen e njeriut që do të kandidojë për postin e zëvendës presidentit në zgjedhjet e nentorit. Vendimi pritet të bëhet i ditur para konventës kombëtare të Partisë Republikane në Tampa të shtetit Florida në fund të muajit gusht.

Tani që numri i rivalëve republikanë është reduktuar në vetëm një kandidat, Mitt Romney duket se është në rrugën drejt emërimit të partisë si kandidat presidencial, ndërkohë që po e përqendron fushatën tek presidenti Barack Obama.

“Këtij njeriu i kanë shterruar idetë dhe justifikimet dhe ne do të bëjmë që ai të largohet,” tha zoti Romney.

Vendimi i parë i rëndësishëm për Romnin do të jetë përzgjedhja e zëvendës presidentit dhe njëri prej njerëzve në listën e tij është senatori Marco Rubio i Floridës.

Zoti Rubio thotë se do të ishte i kënaqur po t’i kërkohej, por përgjigja e tij është jo.

“Jam i kënaqur me punën në Senat.”

“Nuk dua të bëhem nënpresident tani ose në të ardhmen. Zoti Romney nuk do të më kërkojë sepse ai e di përgjigjen time.”

Mes kandidatëve të mundshëm janë edhe ligjvënësi Paul Ryan nga Wisconson dhe guvernatori i New Jersey-it Chris Christie. Ky fundit ka thënë se nuk është i interesuar.

“Ai e di që nuk kam dëshirë të jem zëvendës president i Shteteve të Bashkuara.”

Zgjedhja e Romney-it është e rëndësishme, thotë Ken Duberstein, ish shef i stafit të presidentit Reagan.

“Zgjedhja e kandidatit për zëvendës president gjykohet nga amerikanët si vendimi i parë i rendësishëm i kandidatit presidencial.”

Katër vite më parë, vendimi i republikanit John McCain për zgjedhjen e guvernatores së Alaskës Sarah Palin e dëmtoi atë mes votuesve të pavarur, diçka që Romney do të mundohet ta mënjanojë.

“Duke patur parasysh 2008-tën, zoti Romney mendoj se do të zgjedhë dikë që të gjithë do ta gjykojnë se është i gatëshëm të bëhet president menjëherë. Nëse zgjedh dikë që është një hap larg presidentit, ai njeri duhet të jetë i përgatitur që të jetë president që ditën e parë.”

Historikisht, kandidatët për zëvendës president nuk janë faktorë të rendësishëm në zgjedhjet presidenciale. Por ofrojnë avantazhe të vogla, thotë analisti Rhodes Cook.

“Mund të jetë e rendësishme ndoshta për të fituar ndonjë shtet në zgjedhje. Nëse është dikush që sjell mbështetjen e një shteti të rëndësishëm si Florida, Ohio apo Michigan, atëherë ka rëndësi.”

Zoti Romney pritet të sigurojë votat e nevojshme për emërimin e Partisë Republikane në qershor, por kërkimi i kandidatit për zëvendës president pritet të zgjasë më shumë.

XS
SM
MD
LG