Lidhje

Modeli ri xhinsesh Levi Strauss në Kinë


Modeli ri xhinsesh Levi Strauss në Kinë
Modeli ri xhinsesh Levi Strauss në Kinë

Firma e njohur amerikane e prodhimit të bluxhinseve Levi Strauss nxorri në treg një model të ri pantallonash në Kinë, që synon të tërheqë tregun në rritje të të rinjve në vendet aziatike. Modeli i ri Denizen, me 5 xhepa, do të shitet për një çmim 40-60 dollarë dhe synimi i tij është grup-mosha 20 deri 40 vjeçare.

Është një takim kulturash lindje perëndim; një ikonë e kulturës amerikane që proddhon për tregun azitik.

Tipi Denizen ka një prerje për një fizionomi më të hollë dhe kompania Levi shpreson të tërheqë me të të rinjtë në Kinë, Singapor, Korenë e Jugut dhe ndoshta edhe në Indi.

Xhinset firmato në Kinë kushtojnë rreth 300 dollarë dhe janë të kërkuara nga klasa e mesme në rritje.

“Ne synojmë tregun në rritje të të rinjve. Me një popullsi prej 1 miliardë e 400 milionë banorë, Kina është një nga tregjet më të mëdhenj për këtë grup konsumatorësh.”- thotë Terenc Cang

Modeli i ri i xhinseve i drejtohet një tregu më të gjerë, krahasuar me xhinset tradicionale Levi që shiten mbi 100 dollarë në pikat luksoze.

Xhinset Levi janë shumë të pëlqyera në Kinë, veçanërisht mes të rinjve në gjendje të mirë.Kristina Uong është redaktore për revistën "In Style", dhe ajo thotë:

“Xhinset Levi janë shumë të mira. Ky është avantazhi. Në se firma bën më shumë studime për tregun e të rinjve dhe u jep “personalitet” prodhimeve të saj, që t’u përshtaten më mire mënyrës së jetesës së të rinjve, ajo do të jetë e suksesshëme në treg.”

Firma Levi Strauss me seli në San Francisco të Kalifornisë, është më se e interesuar të zgjerojë shitjet e mallrave të saj në tregun më të madh të botës, ku sipas bankës Merrll Lynch, vitin e kaluar shitjet e veshjeve dhe këpucëve arritën në 169 miliardë dollarë dhe parashikimi është që rritjet të jenë mbi 10 përqind.

Shitjet e veshjeve në Kinë e kanë kaluar tashmë tregun më të shtrenjtë të fqinjit të saj Japonisë, duke zënë rreth një-të-tretën e shitjeve të gjithë Azisë me qytetin Shangai që shërben si epiqendër.

Në Kinë po dynden një sërë firmash që nga të shtrenjtat si Louis Vuitton e deri tek ato më të përballueshmet si Espirt apo H&M.

Nga pijet tek shampot, firma të shumta po përpiqen të tërheqin tregun vendas me prodhime të etiketuara “të prodhuara për Kinën”.

Një firmë tjetër më luksoze, filiali i Hermes International për Kinën, Shang Xia, do të debutojë muajin tjetër me dyqanin e parë në Shangai.

Levi Strauss që u tërhoq për pak kohë nga Kina në mes të viteve ’90, për shkak të shqetësimeve mbi të drejtat e punëtorëve, ka tani qindra pika shitjeje në Kinë dhe parashikon të hapë 1 mijë të tjera deri në vitin 2015.

Modeli i ri Denizem që shitet për 40 – 60 dollarë synon mosheën 20-40 vjeçare që dominon tregun e veshjeve në Kinë.

Konkurenca është e lartë me firma të tjera të njohura xhinsesh si Lee dhe Diesel që po ashtu synojnë tregun kinez.

Shumë konsumatorë kinezë preferojnë një identitet lokal, nacionalist, për prodhimet që blejnë dhe firmat po ua plotësojnë këtë.

Xhinset Levi i kanë fillimet në vitin 1870 në Amerikë kur levi Strauss dhe një rrobaqepës nga Nevada, siguruan patentën për përdorimin e botonave prej bakri për të përforcuar xhepat e pantallonave.

Pas kësaj Levi Strauss filloi të prodhojë pantallona të forta prej xhinsi për punëtorët amerikanë. Me kalimin e viteve, nga pantallona pune, xhinset u bënë pantallona mode të përditshme.

XS
SM
MD
LG