Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Maqedonisë u takuan në Bruksel me Shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe me Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn në kuadër të Këshillit për Stabilizim dhe Asocim midis Maqedonisë dhe BE-së.
Zonja Mogherini theksoi se “Shkupi ka shënuar një histori të madhe suksesi të kohës sonë me marrëveshjen me Greqinë që paraqet një shembull të mirë për të gjithë rajonin”.
Ajo u bëri thirrje të gjitha partive politike në Maqedoni dhe qytetarëve që së bashku të angazhohen në mënyrë konstruktive për miratimin dhe zbatimin e marrëveshjes, të cilën e quajti historike për emrin e Maqedonisë, por edhe marrëveshjen për miqësi me Bullgarinë.
“Rruga që vendi ka marrë drejt BE-së tashmë është bërë e pakthyeshme”, tha Federica Mogherini në një konferencë të përbashkët shtypi, ndërsa vuri në dukje rezultatet që çuan në marrjen e datës për bisedime me BE-në dhe ftesën për në NATO dhe theksoi shpresat se reformat do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm.
Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn tha se mbetet ende shumë punë për t’u bërë, krahas rezultatit pozitiv për bisedimet rreth emrit.
Bujar Osmani, zëvendës-kryeministër i qeverisë së Maqedonisë i ngarkuar me çështjet evropiane tha se krahas përgatitjes për negociata, Qeveria synon ta mbajë dhe thellojë impulsin reformues pozitiv, si dhe të tregojë rezultate të dukshme në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai shtoi se negociatat paraqasëse janë proces kompleks, i gjerë dhe masiv, ku do të nevojitet edhe angazhim i shoqërisë në përgjithësi dhe sektorit civil, ndërsa ftoi opozitën të marrë pjesë në këtë proces.
Ministri i jashtëm maqedonas Nikolla Dimitrov është i bindur se vendi i tij ka dëshmi konkrete për t’u treguar shteteve të BE-së që t’i bindë ato për sukseset dhe reformat që po zënë vend në Maqedoni.
Maqedonia mori datën për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ky është qershori i 2019-s. Por, opozita maqedonase e ka quajtur këtë një mashtrim të qeverisë sepse vendi, sipas saj, nuk ka marrë një datë të mirëfilltë për bisedime.
Sidoqoftë, data dhe ftesa e integrimit euro-atlantik për republikën ish-jugosllave janë të kushtëzuara dhe pa ndryshimin e emrit të saj kushtetues në Republika e Maqedonisë Veriore, siç është arritur pëlqimi me marrëveshjen e Prespës me palën greke, Maqedonia nuk do të mund të anëtarësohet në NATO as t’i fillojë bisedimet me BE-në.
Facebook Forum