Lidhje

Moldavia mes Lindjes dhe Perëndimit


Kryeministri i Moldavisë Iurie Leanca
Kryeministri i Moldavisë Iurie Leanca
Moldavia, e kufizuar nga Ukraina dhe Rumania, renditet si vendi më i varfër i Evropës. Tani kjo republikë ish-sovjetike ndeshet me presion të madh nga Rusia lidhur me aspiratat e saj për antarësim në Bashkimin Evropian.

Për shekuj me radhë, moldavianët janë krenuar me verërat vendase. Në kantinën Chateau Vartely, flamujt që valëviten nga era përfaqësojnë disa nga ambalazhimet e reja të kësaj kantine me destinacione që nga Italia e deri në Kinë.

Por muajin e kaluar, Rusia ndaloi papritur importin e verës moldaviane. Në këtë regjistrim, Presidenti Vladimir Putin po bën komente drejtuar një grupi me ekspertë të huaj në Rusi.

Ai pyet: “Ku do t’i shesë Moldavia verërat e saj? Jam i bindur se Franca nuk do të lejojë as shitjen e një shisheje të vetme me verë moldaviane në atë vend”. Prodhuesit evropianë të verës, thotë ai, do t’i flakin arkat me verë moldaviane, do t’i thyejnë shishet dhe do ta derdhin verën në kanale.

Përse gjithë ky mllef nga presidenti rus?

Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia, të gjitha republika ish-sovjetike, po refuzojnë pjesëmarrjen në Bashkimin e Kufijve, një nismë e krijuar nga Rusia. Muajin e ardhshëm këto vende do të nënshkruajnë marrëveshje asociimi me Bashkimin Evropian.

Moska dhe Brukseli janë përfshirë tani nga një betejë për influencë në Evropën Lindore. Kjo shfaqet më qartë në Moldavi.

Muajin e kaluar Partia Komuniste e Moldavisë, partia më e madhe në vend, u distancua nga qëndrimi pro-evropian, duke zgjedhur një qëndrim pro-rus.

Andrew, një 25-vjeçar përkrahës i Partisë Komuniste, thotë se vendi i tij duhet t’i drejtojë sytë nga Moska.

"Po ecim në drejtimin e gabuar. Rruga jonë duhet të jetë drejt lindjes, drejt Bashkimit të Kufijve me Rusinë, Bjellorusinë dhe Kazakistanin”.

Patriarku Ortodoks rus, Kirill, zhvilloi një vizitë në Moldavi dhe Ukrainë, ku u bëri thirrje besimtarëve ruse t’i hedhin sytë nga lindja – nga Rusia.

Më pas, zëvendës kryeministri rus Dmitry Rogozin shkoi në Moldani, ku kërcënoi të ndërpriste furnizimet me gaz gjatë dimrit, duke i paralajmëruar moldavianët: “Uroj të mos ngrini së ftohti”.

Zoti Rogozin kërcënoi edhe se mund të deportohen moldavianët që ndodhen me punë sezonale në Rusi.

"Nëse shumica e punëtorëve sezonalë moldavianë ndodhen në Rusi, ku mund të shkojnë tjetër? Thirrini mendjes!”.

Ai paralajmëroi se nëse Moldavia avancon drejt integrimit evropian, do t’i lërë lamtumirën rajonit Transdniester, që kërkon të shkëputet nga Moldavia dhe aktualisht mbrohet nga trupa ruse.

Ernest Vardanean është nga rajoni separatist:

"Reagimi i Rusisë është i paparashikueshëm këtu. Për momentin mund të them me siguri se Rusia po i bën presion si Moldavisë edhe Ukrainës”.

Të vënë përballë Rusisë, një vend me popullsi gati 50 herë më të madhe se Moldavia, çfarë mund të bëjnë moldavianët?

Kryeministri Iurie Leanca tha për Zërin e Amerikës:

“Një objektiv themelor i politikës sonë të brendshme dhe të jashtme është integrimi evropian, pasi është një rrugë që ofron zgjidhje për një numër problemesh, një numër sfidash dhe nuk kemi alternativë tjetër”.

Kryeministri i Moldavisë thotë se studimet ekonomike tregojnë se integrimi perëndimor sjell përfitime të mëdha:

"Kur të futemi në zonën e tregtisë së lirë me BE-në, e kemi të qartë se çfarë ndikimi do të ketë – një ndikim shumë pozitiv. Por antarësimi në Bashkimin e Kufijve është më i paparashikueshëm. Të mos harrojmë se Bashkimi Evropian është një treg me 500 milionë konsumatorë të fuqishëm, krahasuar me tregun shumë më të vogël që ofron Bashkimi i Kufijve”.

Udhëheqësi moldavian më pas kujtoi vizitën që zhvilloi dy vjet më parë nënpresidenti amerikan Joe Biden, kur shprehu mbështetje për antarësimin e Moldavisë në BE.

Por ai shqetësohet se administrata Obama po humb interesin tek Evropa:

"Vëmendja e Uashingtonit po bie. Nëse në vitet 1990 Uashingtoni ishte aktor kryesor për shembull për Trans Dniester, lidhur me tërheqjen e trupave ruse, tani po ndjek udhëheqjen dhe shembullin e BE-së”.

Në Moskë, Vygaudas Usackas, ambasadori i Bashkimit Evropian në Rusi, thotë se dyert e Evropës janë të hapura edhe për Rusinë.

"Partneriteti Lindor i BE-së është pjesë e një projekti më të madh dhe gjithë-përfshirës, integrimit të ekonomive nga Lisbona në Vlladivostok. Rusia është medoemos pjesë e këtij vizioni. Kemi parë që Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë zgjedhur thellimin e integrimit, por jo Rusia”.

Zoti Osackas mban në tavolinë 28 flamujt e vendeve të BE-së. Në takimin e muajit të ardhshëm të Bashkimit Evropian në Lituani, tre republika të tjera ish-sovjetike mund të nisin rrugëtimin drejt antarësimit.
XS
SM
MD
LG