Lidhje

SHBA, kandidati që sulmoi gazetarin fiton zgjedhjet


Kandidati republikan për anëtar të Dhomës së Përfaqësuesve nga Montana, ndaj të cilit janë ngritur akuza për sulm kundër një gazetari, ka kërkuar falje për veprimet e tij pasi shënoi fitore ndaj rivalit të tij demokrat. Greg Gianforte, të mërkurën në mbrëmje, disa orë para hapjes së qendrave të votimit në Montana, sulmoi gazetarin Ben Jacobs pas një pyetje që ai i bëri në lidhje me ligjin për kujdesin shëndetësor.

Më pak se 24 orë pas incidentit, Greg Gianforte fitoi të ejten me rezultat të ngushtë ndaj këngëtarit dhe poetit Rob Quist, duke ruajtur dominimin 20 vjeçar të Partisë Republikane në Montana, shteti i cili ka vetëm një anëtar në Dhomën e Përfaqësuesve.

Fillimisht, fushata e zotit Gianforte lëshoi një deklaratë duke mohuar variantin e gazetarit Ben Jacobs në lidhje me incidentin. Por gjatë festimit të fitores me përkrahësit e tij, milioneri Gianforte, kërkoi ndjesë:

"Natën e kaluar kam mësuar nga një gabim. Unë kam nevojë të ndaj diçka nga zemra ime këtu, dhe kërkoj që të keni durim me mua. Kur bëni një gabim ju duhet ta pranoni atë, kështu veprohet në Montana. Natën e kaluar bëra një gabim, bëra një veprim që nuk mund ta ndryshojë tani. Nuk jam krenar për atë që ndodhi, nuk duhet të kisha reaguar në atë mënyrë dhe për këtë më vjen keq. Nuk duhej ta trajtoja gazetarin në këtë mënyrë, dhe për këtë, më vjen keq zoti Ben Jacobs".

Të mërkurën, gazetari Ben Jacobs i gazetës britanike “The Guardian” tha në Twitter se Gianforte "sapo më përplasi në dysheme dhe më theu syzet" në selinë e fushatës së tij në qytetin e Bozmanit, vetëm pak orë përpara zgjedhjeve speciale në Montana. Zoti Gianforte ishte favorit në shtetin rural me shumicë republikane.

Rreth një e treta e votuesve të banorëve të Montanës kishin hedhur votat e tyre në procesin e votimit të parakohshëm deri në kohën kur ndodhi incidenti.

Zgjedhjet speciale u mbajtën për të zëvendësuar ligjvënësin republikan Ryan Zinke, i cili këtë vit dha dorëheqjen pasi u përfshi në administratën e presidentit Trump

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG