Lidhje

Në Mal të Zi miratohet qeveria e “besimit zgjedhor”


Pas debateve të gjata dhe shpeshherë me tone të ashpra, Parlamenti malazez me shumicë votash, miratoi të enjten Ligjin mbi përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta në Mal të Zi.

Në këtë kuadër u formua Qeveria e “besimit zgjedhor” me përfaqësuesit e opozitës, që ishte kushti themelor i Marrëveshjes mes pushtetit dhe opozitës në Mal të Zi, e cila u nënshkrua gjatë muajit shkurt në Podgoricë.

Në qeverinë e re opozitës i takojnë katër ministri dhe posti i zëvendëskryeministrit që do të zgjasin deri në fund të këtij viti kur edhe pritet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Formimi i një bashkëqeverisjeje me opozitën ishte ofertë e vetë kryeministrit Gjukanoviq, i cili pasi mbijetoi votëbesimin në dhjetor të vitit të kaluar, shfaqi gatishmërinë për ti hapë ministritë për përfaqësuesit e opozitës, në mënyrë që të ndikojnë në mbarëvajtjen e procesit të ardhshëm zgjedhor në Mal të zi.

Kjo është hera e parë në historinë politike të Malit të Zi që partitë opozitare të kenë rol në qeveri dhe të ndihmojnë në përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta në Mal të Zi.

XS
SM
MD
LG