Lidhje

Trump, Moon, të vendosur ndaj ambicjeve bërthamore të Phenianit


Në krye të rendit të ditës në takimin mes presidentit Trump dhe homologut të tij koreanojugor Moon, ishte përgjigja ndaj ambicjeve bërthamore të Koresë së Veriut. Korrespondenti i Zërit të Amerikës për Shtëpinë e Bardhë, Steve Herman, njofton se në takim u diskutuan edhe marrëdhëniet tregtare midis Uashingtonit dhe Seulit.

Duke qëndruar së bashku me presidentin e Koresë së Jugut në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, presidenti Donald Trump foli rreth rrezikut të, sipas tij, “regjimit të papërgjegjshëm dhe brutal” të Koresë së Veriut, duke shtuar se duhet një përgjigje e vendosur për programet koreanoveriore të armëve bërthamore dhe raketave balistike.

“Epoka e durimit strategjik me regjimin e Koresë së Veriut ka dështuar. Ka shumë vite dhe ka dështuar, dhe sinqerisht, durimi ka mbaruar” tha presidenti amerikan.

Presidenti Moon, i cili sapo mori detyrën në fillim të muajit maj, mban hapur mundësinë e rikthimit në bisedime me Korenë e Veriut, ndërkohë që mbështet vazhdimin e sanksioneve kundrejt Phenianit.

“Çështja bërthamore e Koresë së Veriut duhet të zgjidhet pa asnjë problem. Koreja e Veriut nuk duhet të nënvlerësojë angazhimin e vendosur të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim. Unë gjithashtu i bëj thirrje Phenianit që të kthehet menjëherë në tryezën e negociatave për denuklearizimin e gadishullit Korean”.

Për sa u përket çështjeve ekonomike, presidenti Trump i shprehu qartë presidentit Moon antipatinë e tij për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë mes Koresë dhe Shteteve të Bashkuara, të miratuar gjatë administratës Obama.

“Ne po negociojmë një marrëveshje tregtare tani me Korenë e Jugut dhe shpresojmë se do të jetë një marrëveshje e barabartë – do të jetë një marrëveshje e mirë për të dyja palët. Ishte një marrëveshje e pabarabartë për Shtetet e Bashkuara, por unë mendoj se do të jetë shumë ndryshe dhe do të jetë e mirë për të dyja palët” tha presidenti Trump.

Zyrtarët e administratës, duke sqaruar komentin e presidentit, thonë se një komision i posaçëm i përbashkët do të fillojë rinegociimin dhe ndryshimin e marrëveshjes.

Shtëpia e Bardhë dëshiron të reduktojë një deficit tregtar në favor të Koresë së Jugut që është rritur në më shumë se 27 miliardë dollarë që kur u miratua marrëveshja e tregtisë së lirë në vitin 2012.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG