Lidhje

Sekretari Kerry takon Presidentin Putin në Moskë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shprehu në Moskë shpresën se Uashingtoni dhe Moska mund të përparojnë më tej që t’i jepet fund konfliktit në Siri.

Gjatë bisedimeve me presidentin rus Vladimir Putin, zoti Kerry tha se ai shpresonte që takimi do të lejonte dy vendet të gjenin një mënyrë për të "rindërtuar dhe forcuar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë."

Para takimit me presidetin Putin, Zoti Kerry tha se armëpushimi i brishtë dhe i pjesshëm në Siri, ka zvogëluar dukshëm shkallën e dhunës atje.

"Është e drejtë të thuhet se tri javë më parë, ishin vetëm pak njerëz që besonin se pushimi i armiqësive është i mundur në Siri" tha sekretari Kerry në fillim të bisedimeve me ministrin rus të punëve të jashtme Sergei Lavrov, në Moskë.

"Dhe është e pamohueshme se kjo ka sjellë përparim. Ka pasur një zvogëlim të brishtë por përfitues të dhunës, madje disa thonë 85 deri në 90 për qind në Siri" tha sekretari Kerry.

Pas pesë vjetësh konflikti që la mbi 250 mijë të vrarë dhe shkaktoi valën më të madhe të refugjatëve në botë, Washingtoni dhe Moska arritën marrëveshje për ndërprerjen e armiqësive më 27 shkurt dhe dërgim e ndihmave humanitare në zonat e rrethuara.

Por, sekretari Kerry tha po ashtu se Shtetet e Bashkuara duan të shohin një pakësim të mëtejmë të dhunës dhe më shumë ndihma humanitare.

Takimet e zotit Kerry pasoojnë vendimin e befasishëm të 14 marsit për tërheqjen e pjesshme të forcave ruse nga Siria.

Sekretari Kerry pritej të ushtronte trysni mbi presidentin Putin për një periudhë kalimtare politike në Siri, ndërkohë që shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, u shfaq papritur në Gjenevë në përpjekje për të ripërtërirë bisedimet e paqes.

Shtetet e Bashkuara duan që presidenti sirian Bashar al-Assad të largohet, por Rusia thotë se vetëm populli i Sirisë mund të vendosë për fatin e tij në kutitë e votimit.

XS
SM
MD
LG