Lidhje

SHBA përgënjeshtrojnë pretendimet ruse për ndërprerjen e komunikimit dypalësh


Shtetet e Bashkuara kanë përgënjeshtruar pretendimet e ngritura nga një zëdhënës rus se komunimiki mes dy vendeve është ngrirë. Uashingtoni thotë se dy palët mbeten të angazhuara me njëra-tjetrën.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha të mërkurën për televizionin Mir se “thuajse të gjitha nivelet e dialogut” me Shtetet e Bashkuara janë ndërprerë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit John Kirby tha se Sekretari i Shtetit John Kerry dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov kishin folur me telefon të martën lidhur me luftën në Siri.

“Është vështirë të thuhet se çfarë nënkupton ky koment” - tha zoti Kirby. “Por angazhimi diplomatik me Rusinë vazhdon në një numër çështjesh. Është i mirë-njohur fakti që kemi mospajtime të dukshme me Moskën për disa tema, por dialogu nuk është ndërprerë,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Peskov u shpreh se shpreson që presidenti i zgjedhur Donald Trump do të ketë një “qëndrim të freskët, më konstruktiv” por gjithashtu shtoi se askush nuk duhet të ushqejë optimizëm të tepruar.

XS
SM
MD
LG