Lidhje

Egjipt, shtyhet sërish vendimi ndaj ish-Presidentit Mubarak


Një gjykatë egjiptiane ka shtyrë deri në nëntor vendimin e saj në gjyqin ndaj ish presidentit Hosni Mubarak, i akuzuar për bashkëpunim në vrasjen e protestuesve gjatë revoltës së vitit 2011 që e përmbysi atë.

Gjykatësi foli për disa kohë para se të shtynte seancën sot, duke thënë në sallën e gjyqit të mbushur plotë, duke përfshirë presidentin e rrëzuar, se ai dhe anëtarët e ekipit të prokurorisë ende nuk kishin përfunduar shqyrtimin e të gjitha provave, që arrijnë në 160 mijë faqe.

Gjyqi është shtyrë disa herë.

Zoti Mubarak, ministri i tij i brendshëm dhe gjashtë zyrtarë të tjerë të lartë të sigurisë janë akuzuar për urdhërimin e vrasjes së qindra protestuesve.

Ish presidenti u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2012 për rolin e tij në këtë çështje, por u lirua një vit më vonë dhe ka qenë në arrest shtëpie në një spital ushtarak, në pritje të rezultateve të rigjykimit.

Qysh atëherë, Egjipti ka mbajtur zgjedhje demokratike, por ushtria ndihmoi në përmbysjen e presidentit të zgjedhur, Mohamed Morsi, kur ai i dha shtytje ndryshimit të kushtetutës që shumë egjiptanë e panë se favorizim të islamistëve.

Ish shefi i zbulimit në kohën e Mubarakut, Abdel Fattah al-Sisi, tani është president i Egjiptit.

XS
SM
MD
LG