Lidhje

Mueller mbron grumbullimin e emaileve të ekipit të tranzicionit të Presidentit Trump


Prokurori i Posaçëm amerikan, Robert Mueller po mbron ligjshmërinë e grumbullimit të dhjetra mijëra emaileve të ekipit të tranzicionit presidencial të Donald Trumpit, megjithëse zyrtarët e zotit Trump u vunë në dijeni vetëm javën e kaluar se një agjenci qeveritare kishte dorëzuar emailet, para disa muajsh.

Emailet vinin nga kompjuterat e 13 zyrtarëve të lartë të ekipit të tranzicionit dhe mbulojnë një periudhë nga koha kur zoti Trump u zgjodh në fillim të nëntorit 2016 deri kur mori detyrën më 20 janar 2017.

Mesazhet përfshijnë diskutime për sigurinë kombëtare dhe objektivat e mundshme fillestare të politikës së jashtme, si edhe vlerësime të kandidatëve për poste në administratën e re.

"Kur kemi marrë emailet si pjesë e hetimit tonë, kemi siguruar ose miratimin e personit që i takonte emaili ose autorizimin e duhur”, tha një zëdhënës i zoit Mueller të dielën herët.

Prokurori i Posaçëm ia kishte kërkuar mesazhet Administratës për Shërbime të Përgjithshme, një agjenci qeveritare që menaxhon godinat dhe pronat federale, ku punonte ekipi i tranzicionit dhe kompjuterat e së cilës kishte përdorur për emailet. Agjencia pa informuar ekipin e tranzicionit, i dorëzoi ato më 1 shtator.

Kory Langhofer, një jurist që përfaqëson ekipin e tranzicionit të quajtur “Trump për Amerikën”, paraqiti të shtunën një ankesë në komisionet e mbikqyrjes së Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, duke thënë se Mueller i kishte marrë emailet, megjithëse “e dinte që emailet në fjalë nuk ishin as në pronësinë, as në kontrollin e Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme”.

Avokati i zotit Trump tha se prokurorët e zotit Mueller kanë “përdorur gjerësisht materialet në fjalë” në hetimin mbi lidhjet me Rusinë. Langhofer tha se prokurorët e dinin se disa nga materialet ishin të mbrojtura nga publikimi sepse kishin të bënin me diskutime private mes juristëve të tranzicionit të zotit Trump dhe zyrtarëve që punonin për tranzicionin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG