Lidhje

Shtypi: ndihmësit e presidentit po hetojnë ekipin e Prokurorit Mueller


Sipas njoftimeve të shtypit amerikan, ndihmësit e presidentit Donald Trump po shqyrtojnë ekipin e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller, me qëllim zbulimin e konflikteve të mundshme të interesit mes anëtarëve, në një përpjekje për të diskredituar hetimin e tij lidhur me përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Një anëtar i ekipit ligjor të zotit Trump jashtë Shtëpisë së Bardhë, Jay Sekulow, tha se avokatët "do të vlerësojnë në mënyrë të vazhdueshme çështjen e konflikteve të interesit dhe do t'i ngrenë ato në vendin e duhur". Madje sipas tij, nëse do të nevojitet, ankesat do t’i drejtohen edhe zotit Mueller.

Sipas “Washington Post”, që citonte një person që ka dijeni mbi çështjen, presidenti ka pyetur këshilltarët e tij rreth kompentencave që ai ka për të falur ndihmësit, anëtarët e familjes e madje dhe veten, në lidhje me hetimin për Rusinë. Një tjetër person i tha gazetës se kjo çështje po diskutohet mes avokatëve të presidentit.

Sipas gazetës “New York Times” ndihmësit e presidentit po shohin në shkuarën profesionale dhe politike të hetuesve, në kërkim të konflikteve të interesit që mund t’i përdorin për të diskredituar hetimin, ose për të ndërtuar një rast kundër Prokurorit të Posaçëm Mueller.

Zoti Mueller ka mbledhur një ekip prokurorësh me eskperiencë për të shqyrtuar historinë financiare të presidentit dhe nëse ndonjë nga këshilltarët e zotit Trump bashkëpunoi me Rusisë për të ndërhyrë tek zgjedhjet presidenciale.

Ndërsa ekipi ligjor i zotit Trump nuk pranoi të komentojë mbi çështjen, një këshilltar i tha gazetës “New York Times” se presidenti thjesht ka shprehur një kurreshtje për të kuptuar shtrirjen e kompentencave të tij të faljes, si dhe kufijtë e hetimit të zotit Mueller.

"Kjo nuk është në kuptimin që ai mendon: Mezi pres për të falur veten”, - tha për gazetën këshilltari i ngushtë i presidentit.

Irritimi me hetimin

Në shtyp u publikuan njoftime referuar disa burimeve, sipas të cilave presidenti është irrituar nga ideja se hetimi i zotit Mueller mund të arrijë tek financat e tij dhe të familjes së tij.

Ndërkohë, djali i madh i zotit Trump, Donald Trump Jr, ish këshilltari i presidentit gjatë fushatës, Paul Manafort dhe Jared Kushner këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, gjithashtu edhe dhëndërri i zotit Trump, do të dëshmojnë javën e ardhshme lidhur mbi takimin e tyre vitin e kaluar me një avokate ruse.

Në javët e fundit, Presidenti Trump ka shprehur zemërim lidhur me hetimin, pasi u informua për pyetjet ligjore që ai dhe familja e tij mund të përballen.

“Washington Post” njoftoi se zoti Trump u ka thënë ndihmësve të tij se u shqetësua veçanërisht kur mësoi se Mueller do të kishte qasje tek disa dokumente që lidhen me pagesat e taksave në vite.

Në një intervistë për “Times Wednesday”, presidenti tha se zoti Mueller ishte duke udhëhequr një hetim që niset nga pikëpyetje për konflikte interesi. Ai tha gjithashtu se Prokurori i Posaçëm nuk duhet ta zgjerojë hetimin, duke përfshirë marrëveshjet financiare të familjes së tij.

"Mendoj se kjo është një shkelje" tha zoti Trump. “E gjithë ideja e ngritjes së komisionit të posaçëm kishte të bënte me Rusinë”.

Ndërkohë, sipas gazetës “New York Times”, ekipi i zotit Mueller ka nisur të shqyrtojë të dhënat financiare dhe ka kërkuar dokumenta nga Shërbimi i Ardhurave të Brendshme, që lidhen me ish këshilltarin e presidentit gjatë fushatës, Paul Manafort. Gazeta citonte një zyrtar të lartë amerikan si burim informacioni. Të dhënat janë nga një hetim penal për taksat, që është hapur shumë kohë përpara fillimit të fushatës së zotit Trump. Ndaj zotit Manafort nuk është ngritur kurrë ndonjë akuzë lidhur me atë rast.

Sipas gazetës “Times”, hetuesit federalë kanë kontaktuar gjithashtu “Deutsche Bank” rreth llogarive të zotit Trump. Pritet që banka t’i japin informacione zotit Mueller, siç njofton gazeta.

Sipas shtypit, si për t’iu shtuar sfidave me të cilat ballafaqohet ekipi i avokatëve të zotit Trump jashtë Shtëpisë së Bardhë, zëdhënësi i ekipit Mark Corallo, dha dorëheqjen të enjten. Shtypi citoi për lajmin dy njerëz që kishin dijeni mbi largimin e tij. Zoti Corallo ishte një prej disa njerëzve që ishin kundër idesë së kritikës publike ndaj zotit Mueller, me të cilin ai kishte njohje të afërt.

Sipas burimeve, zoti Corallo u bë gjithnjë e më i pakënaqur me veprimet dhe luftën e brendëshme. Një prej këtyre burimeve, tha se zoti Corallo ishte gjithashtu i shqetësuar nëse atij i ishin dhënë informacione bazuar në fakte, rreth zhvillimeve të ndryshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG