Lidhje

Robert Mueller, prokuror i posaçëm për çështjen e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje


Ish drejtori i FBI-së Robert Mueller u emërua prokuror i posaçëm për të mbikqyrur hetimin për ndërhyrje të mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës. Kjo vjen pas një jave të mbushur me skandale që kanë përfshirë administratën e presidentit Donald Trump.

Ish drejtori i FBI-së Robert Mueller do të drejtojë hetimin lidhur me bashkëpunimin e mundshëm mes Moskës dhe ekipit të këshilltarëve të fushatës presidenciale të Donald Trumpit.

Vendimi u mor të mërkurën në mbrëmje nga zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, që qëndruan në heshtje gjatë pjesës më të madhe të ditës, lëshuan një deklaratë nga zoti Trump ku thuhet përsëri se “nuk ka patur asnjë bashkëpunim të fshehtë mes fushatës dhe ndonjë entiteti të huaj”.

Shtëpia e Bardhë ka qënë në një gjendje të vështirë pas një lajmi javën e kaluar, sipas të cilit zoti Trump i kishte kërkuar ish drejtorit të FBI-së James Comey të mbyllte hetimin lidhur me ish Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Mike Flynn.

Ky njoftim ngriti shqetësime të reja se zoti Trump po përpiqej të pengonte hetimin e FBI-së lidhur me bashkëpunimin e mundshëm mes fushatës së tij dhe Rusisë.

Pjesa më e madhe e ligjvënësve në Kongres e mirëpritën emërimin e prokurorit të posaçëm.

Ka shumë shpresa se zoti Mueller, një ish prokuror, do të rivendosë integritetin e këtij hetimi...thotë analisti republikan Evan Siegfried:

“Robert Mueller është tërësisht i pavarur nga Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja. Ai ka buxhetin e vet; mund të punësojë vetë personelin e tij dhe mund të mos e marrë fare parasysh punën e deritanishme për këtë çështje nga FBI-ja. Ai ka lirinë të veprojë, sipas pushtetit që i ka dhënë zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, aty ku e çon hetimi”, - thotë analisti.

Një tjetër moment që mund të jetë i bujshëm, ka mundësi të vijë javën e ardhshme, pasi ish drejtori i FBI-së Comeny është ftuar të dëshmojë para një sesioni të hapur në Kongres.

“Duke shënuar 100 ditët e para në detyrë, presidenti Trump tha se askush nuk kishte parë një gjë të tillë. Ai e kishte fjalën në aspektin pozitiv, për punën e mirë të bërë nga administrata e tij. Por me thënë të drejtën, nuk kemi parë asnjëherë një administratë si kjo. Asnjë administratë, në ditën e 118 tani, nuk ka parë këtë nivel të tillë skandalesh dhe problemesh,”- thotë analisti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG