Lidhje

Shqetësim për të ardhmen e hetimeve mbi Rusinë


Avokati kryesor i Presidentit Donald Trump në hetimet mbi Rusinë, John Dowd dha dje dorëheqjen. Largimi i tij është një tjetër episod në një proces hetimor që ka hedhur hije dyshimesh mbi Shtëpinë e Bardhë. Presidenti ka sulmuar hetimet mbi ndërhyrjet ruse, duke bërë komente në Twitter gjë që ka zgjuar shqetësime mes demokratëve dhe disa republikanëve se ai mund të jetë duke përgatitur terrenin për të shkarkuar Prokurorin Special Robert Mueller.

yetje të reja kanë lindur lidhur me Presidentin Trump dhe hetimet mbi ndërhyrjet ruse pas dorëheqjes së avokatit të presidentit, John Dowd.

Largimi i juristit Dowd pason postimet që ka bërë ditët e fundit presidenti në Twitter, ku sulmon hetimet mbi Rusinë dhe veçon me emër Prokurorin Mueller.

Demokratët në Kongres kanë shprehur shqetësim, ndër ta ligjvënësi Jerrold Nadler.

“Zoti president, po ju ndjekim me vëmendje. Populli amerikan po ju shikon. Nëse e mbyllni apo e pengoni hetimin e Prokurorit Mueller, apo shkarkoni Prokurorin e Përgjithshëm Sessions, ose zëvendësin e tij Rosenstein apo zotin Mueller do ta zhysni vendin në krizë kushtetuese”.

Edhe disa republikanë kanë shprehur shqetësim, ndër ta Senatori Jeff Flake:

“Duket se presidenti i ka shkallëzuar komentet, tani po përmend me emër Muellerin gjë që s’është aspak e mirë”.

Aleatët e presidentit thonë se zoti Trump po humb durimin me këtë hetim që duket se s’po i vjen fundi:

“Nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë mes fushatës sime dhe rusëve, mes meje dhe rusëve, asnjë bashkëpunim,” tha presidenti.

Udhëheqësit republikanë thanë se kanë marrë garanci se nuk ka gjasa për shkarkimin e Robert Muellerit. Mitch McConnell është udhëheqësi i republikanëve në Senat:

“Ai do të ndjekë faktet dhe mendoj se do të ketë kredibilitet të madh me popullin amerikan kur ta përmbyllë hetimin,” tha zoti McConnell.

Presidenti ka shumë për të fituar apo për të humbur nga ky proces, thotë analisti John Fortier:

“Nëse shohim lidhje më të drejtpërdrejta mes Trumpit dhe rusëve e fushatës së tij, kjo mund t’i kushtojë presidentit. Por nëse procesi arrin në të njëjtin përfundim që arritën republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve se ka pasur disa probleme nëpër ana, por se këto nuk preknin zemrën e fushatës, presidenti do të shpagohet dhe do të vërtetohen deklaratat e tij se s’ka pasur bashkëpunim të fshehtë”.

Nëse Prokurori Mueller shkarkohet është vështirë të parashikohet kostoja politike e këtij akti, thotë John Hudak:

“Mendoj se do të ketë plot republikanë, të cilët tashmë kanë krijuar bindjen se hetimi i Prokurorit Mueller nuk është i pastër dhe duhet të mbyllet. Ka plot republikanë të tjerë, të cilët nuk do të rrinë duarkryq nëse presidenti shkarkon zotin Mueller, por do ta përshëndesin këtë masë”.

Demokratët argumentojnë se një masë e tillë do të minonte sundimin e ligjit në Shtetet e Bashkuara dhe do të mbyllte procesin hetimor që deri tani ka rezultuar në pesë të dyshuar që kanë pranuar fajësinë dhe në ngritjen e akuzave ndaj 13 shtetasve rusë si dhe ndaj Paul Manafortit, ish-menaxher i fushatës zgjedhore të zotit Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG