Lidhje

Robert Mugabe refuzon të japë dorëheqjen


Presidenti shumëvjeçar i Zimbabvesë, Robert Mugabe, do të përballet me shkarkim pasi që e bëri të qartë në një fjalim televiziv se nuk do të jap dorëheqje.

Miliona njerëz ndoqën fjalimin në radio dhe televizion duke pritur të kremtojnë fundin e sundimit autokratik 37 vjeçar të Robert Mugabes.

Ata u dukën thellësisht të dëshpëruar, disa edhe të përlotur, derisa dëgjonin zotin Mugabe të thotë se do të drejtojë kongresin e partisë së tij ZANU-PF muajin e ardhshëm.

Ai nuk e përmendi fjalën dorëheqje dhe nuk u duk ta ketë marrë seriozisht ndërhyrjen e ushtrisë në krizën politike të vendit.

"Operacioni ... nuk përbënte një kërcënim për rendin kushtetues të mirëmbajtur dhe as nuk e sfidoi autoritetin tim si kreu i shtetit, as si komandant i përgjithshëm", tha ai.

Partia i ka dhënë atij afat që të jap dorëheqjen deri të hënën në mesditë , ose përndryshe të përballet me procedurën e shkarkimit.

Ajo e shkarkoi zotin Mugabe nga posti i kryetarit të partisë dhe emëroi kryetar të ri zëvendës presidentin Emmerson Mnangagwa, i cili ishte shkarkuar vetëm një javë më parë nga presidenti Mugabe.

Zyrtari i partisë, Lovemore Matuke, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press, se procedurat e shkarkimit janë të pashmangshme dhe e cilësoi 'befasues" fjalimin e zotit Mugabe.

"Nuk është në vijë me atë çfarë prisnim. Ne llogarisnim që dorëheqja do të ndodhë për të shmangur turpin e shkarkimit. Ushtria ka rrugën e saj, në politikanët e kemi rrugën tonë, por qëllimi i përbashkët ishte që të sigurohemi se ai do të shkojë dhe këtë ai duhej ta bënte sonte", tha zoti Mutake.

Shaderick Guto, profesor emeritus në Universitetin e Afrikës s ëJugut, i tha Zërit të Amerikës se Robert Mugabe po provon të "luajë lojëra", sepse ai e di që ushtria ka frikë se mund të izolohet nga Unioni Afrikan dhe Komuniteti i Zhvillimit Jugafrikan, nëse kryen një grusht shteti. Asnjëra organizatë nuk do të mbështeste largimin jo kushtetues të një qeverie të zgjedhur.

Robert Mugabe ishte në arrest shtëpie që nga java e kaluar ndërsa po zhvilloheshin negociata për largimin e tij.

Zimbabveja është përballur me trazira politike e ekonomike që nga vitet e 90-ta.

Por, pikë kthese në krizën aktuale ishte vendimi i zotit Mugabe për të shkarkuar heroin e popullarizuar ushtarak Mnangagwa dhe për të emëruar gruan e tij Grace në vend të tij.

Grace Mugabe është akuzuar për jetë luksoze në një periudhë kur shumë qytetarë të Zimbabvesë vuajnë nga uria.

Pohimi se gruaja e tij do të marrë pushtetin bëri që ushtria të kryej 'de fakto' grusht shteti duke marrë shumë institucione shtetërore dhe duke vendosur zotin Mugabe në arrest shtëpie.

Robert Mugabe, 93 vjeçar, është presidenti më i vjetër në botë. Ai mori pushtetin fillimisht si kryeministër në vitin 1980 kur Zimbabveja u bë e pavarur nga qeverisja e pakicës së bardhë britanike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG