Lidhje

Siria në qendër të Konferencës në Mynih


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov filluan sot bisedime në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet e thella mbi një armëpushim të propozuar për luftën civile në Siri.

Takimi zhvillohet ndërkohë që zyrtarë të tjerë amerikanë dhe rusë shkëmbyen akuza lidhur me bombardimin e rajoneve civile në qytetin e rrethuar Aleppo të Sirisë. Rusia ka propozuar një armëpushim për më 1 mars, por Uashingtoni beson se kjo thjesht do t’i japë Moskës dhe qeverisë siriane tre javë për të shtypur grupet e moderuara kryengritëse.

Si kundërpropozim SHBA kërkojnë një armëpushim të menjëhershëm. Ndërkohë që takimi me ministrin e jashtëm rus fillonte sot në një hotel të Mynihut, zoti Kerry refuzoi të spekulojë nëse do të mund të arrihet një marrëveshje. Ai tha se ata do të zhvillojnë një bisedë serioze për të gjitha aspektet e asaj që po ndodh në Siri.

Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe vende të tjera të Grupit Ndërkombëtar për Mbështetjen e Sirisë, prej 17 vendesh, po mbajnë një seri takimesh në Gjermani, në kuadrin e Konferencës së Sigurisë të Mynihut.

Një çështje ku po fokusohet grupi është propozimi i Rusisë për ndalimin e luftimeve në Siri, ku ofensiva siriane me mbështetjen e Rusisë në Alepo e ka keqësuar krizën humanitare, duke detyruar mijëra civilë të largohen drejt kufirit me Turqinë.

“Jemi të gatshëm të diskutojmë për mënyrat e ndalimit të luftimeve", - tha zëvendës ministri i jashtëm rus, Gennady Gatilov, sipas agjencisë ruse të lajmeve, Tass. Ai tha se ky propozim do të diskutohej në Mynih.

Ai po takohet gjithashtu me udhëheqësin e opozitës siriane Riyadh Hijab, kreu i Komitetit të Lartë Sirian të Negociatave, para takimit të Grupit Ndërkombëtar të Mbështetjes për Sirinë.

Të mërkurën zoti Hijab udhëhoqi një delegacion të opozitës që u takua me Sekretarin e Jashtëm Philip Hammond dhe me zyrtarë të tjerë britanikë në Londër.

Ai tha se populli sirian duhet të shihte përparim në fusha, si zbatimi i një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që bën thirrje për ndalimin e luftimeve dhe për bisedime mbi një tranzicion politik.

Megjithë kritikat e vazhdueshme për sulmet ajrore siriane dhe ruse kundër objektivave jo të Shtetit Islamik, diplomatët europianë i thanë Zërit të Amerikës se ata janë skeptikë për ofertën ruse për ndalimin e luftimeve.

Një zyrtar turk i tha Zërit të Amerikës se Rusia mund të jetë duke propozuar tani planin e ndalimit të luftimeve, ngaqë e kishte plotësuar një fazë të operacionit të vet ushtarak në Aleppo.

“Tani ata mund të jenë duke u fokusuar tek përgatija e një faze të tjetër- Idlibi,” - tha zyrtari.

Edhe organizatat e ndihmave e kanë kritikuar vazhdimisht rrethimin e Alepos, ndërsa fuqitë botërore kërkojnë një zgjidhje politike.

Rreth 100 mijë sirianë janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga java e kaluar, kur u mbajt Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve për Sirinë, tha Presidenti i Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, David Miliband.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, tha se zyrtarët amerikanë nuk do të komentonin për planin e Rusisë para bisedimeve të Mynihut.

“Ky do të jetë një rast i mirë për ne për t'u angazhuar me anëtarët e tjerë të Grupit Ndërkombëtar për Mbështetjen e Sirisë, për të biseduar sinqerisht për disa nga çështjet më urgjente me të cilat ne përballemi në Siri, "- tha zoti Toner.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, i cili ndodhet në Mynih, ka njoftuar synimin për rifillimin e bisedimeve mes përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës siriane, me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara, më 25 shkurt.

Megjithatë, këto plane do të varen nga çështja në se fuqitë botërore mund të bëjnë përparim të mjaftueshëm në përpjekjet për të siguruar ndalimin e luftimeve dhe për të siguruar dërgimin e ndihmave humanitare tek civilët në nevojë.

“Më e rëndësishme është që në një farë mënyre të ushtrohet presion ndaj Rusisë dhe sirianëve që të ndalin bombardimet ajrore, të cilat po shkaktojnë vërshimin e refugjatëve", - tha ish ambasadori amerikan në Siri, Robert Ford.

"Megjithatë, - shtoi ai, - deri tani, Shtetet e Bashkuara nuk kanë treguar ndonjë gatishmëri për të ushtruar presion të vërtetë ndaj Rusisë".

XS
SM
MD
LG