Lidhje

Modernizim apo ruajtje e vlerave historike?


Para Luftës Civile amerikane në vitet 1860, qyteti jugor Riçmond i shtetit Virxhinia përfshinte zonën e dytë më të madhe për tregtinë e skllevërve në vend. Sot, për lagjen që njihet me emrin Shockoe Bottom ka disa plane të reja zhvillimi dhe modernizimi. Por banorët dhe mbrojtësit e vlerave historike shqetësohen se këto plane mund të rrezikojnë trashëgiminë e saj. Ndërkohë që kryetari i bashkisë së Riçmondit mbështet një plan të nevojshëm rigjallërimi për këtë komunitet afrikano-amerikan kryesisht të varfër, shumë vetë shqetësohen se e kaluara e zonës, që gjendet ende nën asfaltin e vend-parkimeve të shumta, mund të shkatërrohet nga buldozerët e ndërtuesve.

Ekonomia e Riçmondit është e rënduar, thotë kryetari i Bashkisë Dwight Jones.

"Kemi një nivel varfërie prej 26 për qind, prandaj është e rëndësishme që të zgjerojmë bazën tonë të taksave, veçanërisht nëse duam t'u japim këtyre njerëzve fonde, duhet të japim për shkollat dhe për përmirësimin e infrastrukturës."

Ai dëshiron të rigjallërojë Shockoe Bottom – zona e qendrës së qytetit – duke ndërtuar një stadium bejzbolli, apartamente, dyqane ushqimore dhe një hotel, aty ku tani ka disa vend-parkime të vjetra. Shumë pronarë biznesesh lokale e pëlqejnë planin.

"Është e rëndësishme për biznesin tonë. Pra, ky plan zhvillimi është “jetë a vdekje” për këtë zonë."

Por nën këto parkime të rrënuara, ku është propozuar të ndërtohet stadiumi i bejzbollit, qëndrojnë thesaret arkeologjike nga ditët kur Shockoe Bottom ishte një qendër për tregtinë e skllevërve, mbi 150 vjet më parë.

"Këto janë objekte historike që na janë mohuar për një kohë të gjatë dhe vetëm tani jemi në gjendje të kërkojmë të kthehen."

Aktivistja lokale Ana Edwards thotë se gërmimet do të mund të zbulonin se çfarë ndodhi me 400 mijë burra dhe gra të cilët u sollën në Riçmond dhe u shitën në ankandet e skllevërve.

"Pothuajse të gjithë afrikano-amerikanët që kanë histori familjare aq të vjetër në vend, ajo do t’i sillte patjetër këtu në Shockoe Bottom."

Arkeologët kanë zbuluar një pjesë të vogël të asaj historie. Një memorial shënon vendin e burgut famëkeq Lampkin, ku u mbajtën mijëra skllevër, dhe tokën e varrezave të Afrikanëve, aty pranë.

Robert Nieweg, i Këshillit Kombëtar për Ruajtjen Historike, thotë se lagjja Shockoe do të përfitonte më shumë nga turizmi historik ndërkombëtar sesa nga tifozët e bejzbollit.

"Shockoe Bottom është një vend i ndërgjegjes. Ka vende të ndërgjegjes në të gjithë botën dhe shërbejnë si për të na kujtuar se çfarë ka ndodhur historikisht, ashtu edhe për të na dhënë mundësi që në zemrat dhe mendjet tona, t’i lidhim ato me gjërat që ndodhin sot."

Ana Edwards thotë se ruajtja e zonës Shockoe Bootom do të lejonte që Riçmondi të kujtonte historinë e skllevërve të tij, por edhe atë të pronarëve të tyre.

"Nuk ka asgjë që të lejon të mësosh se njerëzit me ngjyrë janë përgjegjës për pothuasje çdo gjë në këtë qytet dhe evolucionin e tij… Ka rregulla që nuk lejojnë asnjë skulpturë të jetë më e lartë se ajo e komandantit të forcave të konfederatës Robert E. Lee, në Monument Avenue. Varrezat jonë më e bukur është një varrezë e kohës së Konfederatës."

Delores McQuinn kaloi gati njëzet vjet duke identifikuar dhe duke shënuar rrugët që sollën skllevërit afrikanë në ankandet e lagjeve të Riçmondit. Ajo e mbështet planin e kryetarit të Bashkisë si mënyrën e vetme për të financuar një muze dhe përmendore të tjera rreth trashëgimisë së skllevërve të Shockoe Bottomit. Por nëse plani i tij dështon?

"Them se do të vazhdojmë të kemi asfalt këtu për një kohë shumë të gjatë."

XS
SM
MD
LG