Lidhje

Kriza në Mianmar – Përgjigja e udhëheqëses Suu Kyi


Udhëheqësja de-fakto e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, i doli në mbrojtje mënyrës me të cilën është trajtuar kriza në shtetin Rakhine të këtij vendi, ku vazhdimi i dhunës ka bërë që rreth 400 mijë anëtarë të komunitetit mysliman Rohinga të largohen për në Bangladeshin fqinjë gjatë javëve të fundit. Udhëheqësja de fakto e Mianmarit la të kuptohet se përpjekjet e qeverisë së re për të trajtuar një krizë të vjetër po gjykohen në mënyrë të padrejtë.

Laureatja e çmimit Nobel të Paqes, që shërben si këshilltare shteti e Mianmarit, u tha diplomatëve në kryeqytetin Naipitau, se vendi i saj nuk u trembet kritikave të ndërkombëtarëve.

"Nuk është qëllimi i qeverisë së Mianmarit të ndajë fajin apo të mohojë përgjegjësinë. Ne dënojmë të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut dhe dhunën e paligjshme. Jemi të gatshëm të rivendosim paqen, stabilitetin dhe sundimin e ligjit në mbarë vendin. Forcat e sigurisë janë udhëzuar t’i përmbahen në mënyrë rigoroze kodit të sjelljes në kryerjen e operacioneve të sigurisë, të ushtrojnë të gjitha kufizimet dhe të marrin masat për të mënjanuar dëmet kolaterale dhe dëmtimin e civilëve të pafajshëm."

Por qeveria civile që ajo drejton nuk ka juridiksion mbi ushtrinë, gjë që e bën arritjen e një zgjidhjeje paqësore të krizës edhe më të vështirë.

Udhëheqësja de fakto e Mianmarit la të kuptohet se përpjekjet e qeverisë së re për të trajtuar një krizë të vjetër po gjykohen në mënyrë të padrejtë nga grupet e ndërkombëtarëve.

"Qeveria jonë nuk ka as 18 muaj në pushtet. Do të bëhen 18 muaj në fund të këtij viti. Është një kohë shumë e shkurtër për të përmbushur dhe për të tejkaluar të gjitha sfidat. Kjo nuk do të thotë se nuk jemi gati të vazhdojmë punën për kapërcimin e këtyre sfidave."

Banorët e Rangunit u solidarizuan me udhëheqësen e tyre. Disa bënë thirrje për paqe në vend.

Aung San Suu Kyi këmbënguli se të gjitha “akuzat duhet të jenë të bazuara në prova të forta përpara se të ndërmerren veprime". Që kur militantët myslimanë sulmuan forcat birmaneze të sigurisë në fund të gushtit, rohingasit janë larguar për në Bangladesh për t’i shpëtuar shtypjes së ushtrisë.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley tha se komuniteti ndërkombëtar është i vendosur të gjejë një zgjidhje që do t’i jape fund kësaj krize dhe do të sjellë paqen dhe qëndrueshmërinë në shtetin e Rakhinës dhe pjesën tjetër të Mianmarit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG